Arbëri

Buxheti i Prishtinës përplas Ramën e Muratin

Hekuran Murati - Perparim Rama

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Buxheti i Komunës së Prishtinës është bërë shkas i debateve mes kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Rama i ka reaguar paraprakisht Muratit për çështjen e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, duke i thënë se duhet t’i kryej punët e veta dhe ta shqyrtojë kërkesën për alokimin e buxhetit të kryeqytetit për vitin 2025.

“Hekuran, duke qenë se prapë iu paske bashkuar shokëve të partisë në aksionin për "bllokim", ju lutem gjeni pak kohë të shikoni emailin që ju kemi dërguar, dy ditë më parë! Për herë të dytë, ta kemi dërguar kërkesën urgjente për alokimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025, të miratuar nga Asambleja e Kryeqytetit, e që ti vazhdon ta bllokosh. Ti po rrezikon që qytetarët e Kryeqytetit të mbeten pa shërbime elementare ndaj tyre! Kryji punët e tua!” ka shkruar Rama. 

E, Murati në një kundërpërgjigje më vonë ka thënë se punë e tij është edhe mbikëqyrja dhe “sigurimi që paraja publike shpenzohet sipas ligjit”.

“Me nënshkrimin e deklaratës së disponueshmërisë së fondeve, duke deklaruar se i keni të buxhetuara 18.4 milionë euro, kur në fakt keni pasur vetëm 10% të asaj vlere në buxhet, ju keni shkelur ligjin. Me shpalljen e tenderit, dhe pastaj me nënshkrimin e kontratës, pa i pasur fondet në buxhet, ju përsëri keni shkelur ligjin. Për 18 milionë euro”, ka thënë Murati.

Murati ka shtuar se buxheti i komunës mund të bëhet pjesë e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit 2025, tek pasi Kuvendi të ketë miratuar ndryshim plotësimin e ligjit.

“Kjo për shkak se ju jeni vonuar në miratim të buxhetit komunal sipas afateve ligjore. Këto tashmë i dini, dhe kot bëheni se nuk i dini e shkruani shkresa. Injoranca ndaj ligjit nuk amniston shkeljen e ligjit”, ka përfunduar ai.