Kanë vazhduar përplasjet mes nivelit lokal dhe atij qendror për sheshin “Xhorxh Bush” edhe të mërkurën. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Komunën e Prishtinës se kontratën e lidhur për këtë shesh e ka bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk ka në dispozicion mjetet për të
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar të mërkurën Komunën e Prishtinës se shpalljen e tenderit dhe nënshkrimin e kontratës prej 18 milionë eurosh për sheshin “Xhorxh Bush” i ka bërë kundërligjshëm.
Për këtë projekt, që është bërë sebep për përplasje verbale mes përfaqësuesve të nivelit lokal dhe Institutit për Trashëgimi Kulturore, sipas Muratit, nuk ka buxhet të mjaftueshëm të ndarë me Ligjin për Buxhetin.
Sipas Muratit, për çdo procedurë prokurimi, kërkohet të nënshkruhet Deklarata e Disponueshmërisë së Fondeve, e cila siguron se organizata, në këtë rast Komuna e Prishtinës, ka fondet e mjaftueshme të buxhetuara.
“Në deklaratën e disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga zyrtari kryesor financiar thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 - Rregullimi i sheshit ‘George Bush’. Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024, kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro nga mjetet vetjake të bartura nga viti paraprak. Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm”, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në Facebook.
Kontrata për këtë projekt është nënshkruar këtë vit. Por, sipas Muratit, kjo përbën shkeljen e radhës pasi buxheti i Komunës së Prishtinës, megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë nuk është integruar si plotësim-ndryshim në Ligjin për ndarje buxhetore për vitin 2025.
Sipas Muratit, futja në obligime financiare pa mbulesë përbën shkelje të Ligjit për financa publike dhe të Ligjit për prokurim publik. Ai po ashtu ka kërkuar nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast.
“Ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025 nuk e përmban fare projektin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore. Raste të tilla të futjes në obligime financiare pa mbulesë përbëjnë shkelje të Ligjit për financa publike, si dhe Ligjit për prokurim publik, dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të Komunës”, ka shkruar ai. “Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore”.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje.
E Visar Geci, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në rrjetet sociale tha se buxheti i miratuar nga Asambleja Komunale më 9 dhjetor 2024 përfshin 6 milionë e 500 mijë euro për projektin “Rregullimi i sheshit ‘Xhorxh Bush’”.
“Për të qenë t’kjart’: Ka buxhet t’planifikum dhe t’aprovum nga Kuvendi Komunal; Ka deklarat’ t’nënshkrume për disponueshmëri të fondeve; Ka vendim nga kuvendi komunal si organi me i lartë sipas ligjit për vetëqeversije lokale; NUK ka ‘shkelje flagrante’ – pos nga ata që keqpërdorin institucionin për qëllime politike (Mos t’përmeni emna se prekën gjinja)”, ka shkruar Geci. “Plus, mos ta harrojmë faktin që ministri i financave, Hekuran Murati, edhe pse buxheti asht votue, ky hala e mban të bllokum!”.
Të martën Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ia ndaloi për herë të tretë punimet Komunës në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës për mungesë të lejes.
Megjithëkëtë, kryetari i Komunës, Rama tha se punimet do të vazhdojnë.