Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Misioni i radhës, të bëhem kryeministër

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se misioni i tij i radhës është të bëhet kryeministër.

Deklaratën e ka dhënë në një video të influencerit “Khan” që njihet për pyetjet që ua bën njerëzve në rrugë se “çka bëjnë për të jetuar”. Aty Rama ka thënë se kryeministri Albin Kurti “nuk po bën punë aq të mirë”

“Pjesa e preferuar... mendoj se misioni i ardhshëm është të jem kryeministër, që ta pastrojmë, ta rregullojmë shtetin. Ai (Kurti) nuk po bën punë aq të mirë. Prandaj duhet t’ia tregojmë rrugën”, ka thënë ai në këtë video.

Videon e Ramës e ka shpërndarë deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, që ka thënë se Rama do të duhej të thoshte se “keqmenaxhoj taksat e qytetarëve të kryeqytetit” kur është pyetur se çfarë bën për të jetuar.

E për ambicien ai ka thënë se Rama është dashur të thoshte se synon “që këtë keqmenaxhim ta çojë në nivel tjetër: Nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit te taksat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Rama është kryetar i Prishtinës për mandatin e dytë. Ai ka fituar nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në shumë raste ka thënë se nuk ka librezën e partisë.