Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Me hyrjen e NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb.

Me anë të shpërndarjes së dy fotografive të NATO-s, Rama ka shkruar se me hyrjen e trupave të këtij misioni, është hapur një epokë e re për shqiptarët në Kosovë.

“Si sot 23 vjet më parë, me hyrjen forcave të NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar Rama.

Kosova shënon 23-vjetorin e çlirimit nga forcat serbe, për çka krerët shtetërorë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, në përkujtim të 23-vjetorit të ditës së çlirimit, kanë bërë homazhe edhe te varri i ish-veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Duke uruar qytetarët në këtë ditë çlirimi, ata u zotuan se do të angazhohen për drejtësi për të gjitha viktimat, dëmet dhe vuajtjet e shkaktuara të popullit të Kosovës nga forcat serbe.