27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s është përkujtuar nga liderë shtetërorë e politikë si ngjarje që e ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje që aleancat të cilat e mbrojnë lirinë të ruhen po aq sa vetë liria, teksa kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s ka qenë vendimtare në ndalimin e gjenocidit dhe të spastrimit etnik që Serbia e bëri kundër shqiptarëve
27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s është kujtuar të martën nga udhëheqës institucionalë në Kosovë e Shqipëri si moment vendimtar për ndaljen e luftës dhe për hapjen e rrugës së Kosovës drejt lirisë.
Presidentja Vjosa Osmani e ka shtruar nevojën që aleancat të cilat e mbrojnë lirinë të ruhen po aq sa vetë liria.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO-ja veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, ka shkruar ajo në Facebook.
E kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar ndërhyrjen e NATO-s si vendimtare për ndalimin e gjenocidit dhe të spastrimit etnik të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Tragjedia e popullit të Kosovës e shtrirë ndër dekada, por e kulmuar në luftën e viteve 1998 dhe 1999, e sensiblizoi botën demokratike perëndimore dhe e vuri në lëvizje aleancën më të madhe ushtarake në histori, NATO-n, për të ndërhyrë ushtarakisht me qëllim të ndalimit të gjenocidit, spastrimit etnik dhe krimeve të tjera shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Ndërhyrjen e NATO-s, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e kualifikoi si veprim që e ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë. Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën”, ka thënë Haxhiu.
E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka theksuar se ndërhyrja i ka sjellë Kosovës lirinë, ndërsa rajonit paqen.
“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së NATO-s kundër regjimit shtypës serbomadh të Millosheviqit, fushatë e cila përfundoi me sukses duke sjellë lirinë e Kosovës dhe paqen që gëzojmë sot në të gjithë rajonin”, ka deklaruar Begaj.
Kjo datë është kujtuar edhe nga liderë të partive opozitare.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se mirënjohja për NATO-n është e përjetshme, pasi që falë saj u vendos fati i Kosovës dhe rruga e saj drejt lirisë.
“Bombardimet e NATO-s u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike. Mirënjohja jonë për NATO-n është e përjetshme, sepse ato ditë vendosën fatin tonë dhe ishin vendimtare në rrugën tonë drejt lirisë”, ka shkruar Hamza.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që 24 marsi të shndërrohet në datë kombëtare të Republikës, në përkujtim të ndërhyrjes së NATO-s.
“Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë. Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se me këtë datë shënohen dy ngjarje historike.
“24 Marsi nderohet shumëfish, nga Epopeja e Dukagjinit më 1998 deri te intervenimi i NATO-s një vit më vonë. Më 24 mars 1998 ranë Hima, Gazmendi e Agroni, por nuk u thyem. Flijimi i tyre u bë frymëzim për të vazhduar deri në momentin kulmor, kur NATO, në krye me SHBA-në, dha sinjalin e çlirimit të Kosovës. Sot nderojmë të rënët, nderojmë miqtë tanë dhe kujtojmë se NATO në qiell e UÇK në tokë i dhanë fund regjimit të Millosheviqit dhe e kurorëzuan Kosovën me liri e pavarësi”, ka shkruar Haradinaj.
Fushata e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe zgjati 78 ditë, pas së cilës udhëheqësit në Beograd pranuan kapitullimin.