Kosova sot shënon 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit. 26 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani, ka vlerësuar se “pavarësisht përpjekjeve të armiqve, historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet”. Ndërkohë që kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka bërë homazhe të varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ish-veprimtarit Adem Demaçi, dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kosova sot, 12 qershor, shënon 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit.
26 vjet më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.
Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.
Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë. Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.
Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko - Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.

Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse, ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.
Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.
Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.
Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force”.
Ambasada e SHBA-së: 12 qershori qe pikë kthese, nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës
Ambasada amerikane në Kosovë e ka vlerësuar pikë kthese 12 qershorin e 1999-s, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë.
Në 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Ambasada ka thënë se forcat e NATO-s sollën shpresë, siguri dhe një rrugë për paqe.
“12 qershori 1999 ishte një pikë kthese – një që i lejoi familjet e zhvendosura të riktheheshin dhe komunitetet të fillonin rindërtimin. Në këtë përvjetor, nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe përkushtimit tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme me bazë në paqe, siguri dhe prosperitet”, shkruhet në postimin e Ambasadës.
Kurti homazhe te varri i Rugovës: Kontribuues i madh për unitetin e popullit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, të enjten në Ditën e Çlirimit, bënë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Kurti ka thënë se Rugova ishte “kontribuues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e çështje së Kosovës.
“Duke vënë lule të freskëta te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova, një kontribuues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi gjatë gjithë viteve të 90-ta dhe më pas presidentit të parë të Kosovës pas do të vazhdojmë edhe te varri i simbolit të rezistencës, Mandeles së Shqiptarisë dhe Europës, Adem Demaçi, për të vijuar me kompleksin Adem Jashari”, ka thënë Kurti, transmeton EO.
Kryeministri në detyrë u shpreh se me këto vizita synon të rikujtojë ata që punuan dhe sakrifikuan për shtetin që e zhvillojmë sot.
“Me këto vizita shënojmë kësisoj edhe gëzimin tonë për çlirim, por edhe kujtesën tonë për ata që punuan dhe sakrifikuan për shtetin që e ndërtojmë dhe e zhvillojmë sot”, deklaroi Kurti.
Osmani: 26 vjet më parë mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për Ditën e Çlirimit, duke thënë se në këtë ditë 26 vjet më parë mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa me hyrjen e 50 mijë ushtarëve të NATO-s në vendin tonë.
Në një status në Facebook të enjten, Osmani ka thënë se bashkë me NATO-n, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e kthyen dhimbjen në shpresë dhe sollën dritë pas një errësire të gjatë.
“Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, ka shkruar ajo.
Osmani tutje është shprehur se pavarësisht përpjekjeve të armiqve, historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet.
“Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!”, ka shkruar Osmani.
Ambasada gjermane në Ditën e Çlirimit: Kosova, storie suksesi
Ambasada e Gjermanisë në përvjetorin e çlirimit të Kosovës ka deklaruar se Kosova është bërë storie suksesi, e rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare.
Siç ka shkruar ajo në Facebook, Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë, “duke mbështetur rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë”.
“Sot shënohen 26 vjet që nga fillimi i misionit të Forcës së NATO-s në Kosovë, duke siguruar stabilitet dhe siguri në Kosovë. Siç e ka thënë edhe Lord Roberton, ish-sekretar i Mbrojtjes dhe Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ‘qëllimi ishte që forcat e Millosheviqit të largoheshin, NATO të futej dhe refugjatët të ktheheshin”, thuhet në njoftim.
Ambasada shtoi se “misioni u krye”.
“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është bërë një storie suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare. Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë të Kosovës, duke mbështetur rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë”, thuhet tutje.