Arbëri

Rama: Kosova ta harrojë Serbinë dhe t'i përmbushë kërkesat e BE-së

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se Kosova duhet ta harrojë Serbinë dhe t'i realizojë të gjitha pikat që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas Ramës, duke vepruar sipas propozimeve të BE-së, Kosova do t’ia lërë “topin në fushë” Serbisë dhe do të jetë pastaj Evropa që do të merret me Beogradin. 

Rama ka folur në Londër, ku po merr pjesë në panelin e "Chatham House" me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”.

“Është detyrë e Kosovës që të shtyjë përpara dhe ta bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar përsa i takon vlerave në botën demokratike dhe BE. Kosova që të jetë e suksesshme duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht Serbisë. Pra ata të përmbushin çdo pikë dhe t’ja lënë topin në fushë Serbisë dhe të ecin përpara drejt Evropës dhe të lënë Evropën të merret me Serbinë dhe jo ta lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në një çështje fajësimi mes të dy vendeve”, tha mes të tjerash Rama.

Teksa tha se respekton të gjitha vendimet e institucioneve të Kosovës, Rama shtoi se Kosova nuk ka asnjë çështje territoriale të pazgjidhur me asnjë shtet tjetër.

“Nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës e askujt tjetër. Territori i Kosovës është i përcaktuar, Kosova është Republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga 5 vende të BE-së. Në këtë drejtim nuk shoh problem”, theksoi Rama.

Në Londër po qëndron edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.