Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa foli për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitujve të ri të Shqipërisë, tha se Kosova nuk duhet ta mendojë Serbinë e as të dijë se çfarë bën shteti serb, por sipas Ramës, duhet t'i kryejë detyrat e veta në raport me BE-në.
Ai ka deklaruar se e trishton fakti që nuk ka bërë asnjë përparim në këtë drejtim.
“Më trishton të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se ka një rrugë shumë të qartë: Kosova nuk duhet ta mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet të dijë çka bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë BE-së të gjithë atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ec përpara. Kjo nuk ka të bëjë me pranimin e asaj se çka kërkon Serbia, ka të bëjë me pranimin e asaj çka kërkon BE-ja. Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja është një dështim i madh sepse formati është i gabuar sepse është i bazuar në një parim shumë të thjeshtë: Vendet duhet t'i pranojnë kushtet që lidhen me vlerat e BE-së. Nëse Kosova e bën këtë, është në të mirën e saj, por nuk duhet ta lidhë me Serbinë”, deklaroi Rama.
Nga Vjena ku po merr pjesë në konferencën “Shqipëria, Horizonti i ri”, kryeministri Rama tha se Shqipëria është në rrugën e duhur të integrimit drejt BE-së.
“Jemi në një proces që ka përparuar shumë praktikisht, po çelim kapitujt e negociatave në një shpejtësi që s’është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit. Por, më duhet të them se është një kombinim i meritës sonë dhe qasjes së re të BE-së për zgjerimin, për shkak të luftës në Ukrainë që e ka tronditur Evropën dhe që i ka përçuar udhëheqësve që rëndësia e Evropës së bashkuar është ekzistencial dhe Ballkani Perëndimor është natyrshëm pjesë e organit të BE-së. Jemi aktualisht në një proces tejet të intensifikuar të anëtarësimit dhe jam shpresëplotë që do të ndodhë herët më shumë se vonë.”, tha Rama në konferencë.
Shqipëria, në mesin e shtatorit, hapi edhe katër kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me çka numri i përgjithshëm i kapitujve të hapur është rritur në 28. Kanë mbetur vetëm edhe pesë kapituj negociues, pasi që nga 35 kapituj sa janë në këtë proces, për dy nuk negociohet dhe mbeten vetëm në fund.