Alim Rama, anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar përzgjedhjen e Burim Ahmetajt në krye të ekzekutivit të KQZ-së, duke vlerësuar se kishte manipulime.
“Ajo çka ka ndodhur është se paneli ka ndërruar rregullat gjatë lojës. Ne i votojmë vendimet, por sekretariati i zbaton rregullat. Ai menaxhon stafin e sekretariatit, punëson njerëzit, monitoron implementimin e procedurave zgjedhore, dhe, kur me çdo kusht tenton ta zgjedhë kryetarin bëhet vetëm për t’i manipuluar zgjedhjet”, tha Rama në Interaktiv të KTV-së.
Ai tha se partitë tjera, LDK-ja, AAK-ja, Nisma, Lista Serbe, me ndihmën e PDK-së, kanë zgjedhur një person që vet kanë dashur.
Sipas Ramës, konkursi është hapur në fund të qershorit dhe procesi është vonuar. Sipas tij, për shkak të mosmarrëveshjeve për themelimin e Komisionit, në mbledhjen e 12 gushtit KQZ-ja ka caktuar mbledhje mes anëtarëve me qëllimin që ta ndryshojë një paragraf i cili flet për përbërjen e komisionit.
“Pas votimit të këtij ndryshimi, kam kërkuar që ky proces të anulohet e të shpallet një tjetër sepse është prekur siguria juridike. Por asgjë s’ka ndryshuar”, tha tutje.