Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama ia dorëzon detyrën Jasharit

Në Ministrinë e Mbrojtjes është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së Komandantit të FSK-së nga gjeneral Rrahman Rama dhe gjeneral Bashkim Jashari.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media, pas ceremonisë në Presidencën e Kosovës, sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Armend Mehaj, ka pritur në zyrën e tij gjeneral Rrahman Ramën, pas dorëheqjes së tij nga detyra e komandantit të FSK-së, dhe gjeneralmajor, Bashkim Jasharin, në cilësi të komandantit të ri të FSK-së, të sapo emëruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

“Me këtë rast, ministri Mehaj falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e lartë për kontributin e madh të gjeneral Ramës, të dhënë gjatë UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së, në pozitat e tij udhëheqëse. Më pas, ai uroi gjeneral Jasharin për detyrën e re, duke shprehur edhe nderin dhe privilegjin e madh të tij të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamëz Jashari”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë ministri Rama ka njoftuar se së bashku me atashen amerikan të mbrojtjes në Kosovë, kolonel Stephen Rose, ka pritur në takimin e parë zyrtar, gjeneral Jasharin, në cilësi të Komandantit të FSK-së.

Me këtë rast, ai ka bërë të ditur se Jashari i ka njoftuar me vizionin e tij në procesin e komandim -kontrollit në nivelin operacional dhe së ardhmes së FSK-së.

“Nga ana ime, gjeneral Jasharin e sigurova se do të ketë bashkëpunimin dhe koordinimin e plotë nga niveli im si Ministër dhe Ministrisë së Mbrojtjes në përgjithësi, në funksion të realizimit të vizionit të përbashkët për FSK-në. Nga ana e tij, kolonel Rose e uroi dhe i shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë në funksion të zhvillimit dhe avancimit të FSK-së”, thuhet në njoftim.