Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se vendi po përballet me humbje të mëdha ekonomike dhe rrezik të thellimit të stagnimit për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve.
Rafuna ka thënë se kriza institucionale, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) dhe pezullimi i dialogut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë krijuar një mjedis të paqëndrueshëm për bizneset vendore dhe të huaja, duke e shtyrë kapitalin që të largohet nga Kosova drejt shteteve të rajonit.
E pasojë e krejt kësaj, sipas tij është humbja e rreth 1 miliardë eurove nga marrëveshjet që presin ratifikimin në Kuvend, të cilat ishin të parapara për investime kapitale që do të përmirësonin standardin e qytetarëve dhe do të nxisnin biznesin lokal.
“Themelimi i institucioneve është nevojë urgjente jo vetëm për ekonominë, për biznesin, për qytetarin e Kosovës, por më shumë për vet shtetin e Kosovës për të dërguar proceset përpara. Për ekonominë, mungesa e institucioneve shtetërore nënkupton edhe stagnim, se jo ngadalësim, por stagnim. Kemi të humbur deri tani 1 miliardë euro që nuk po mundemi me i marrë nga marrëveshjet që priten në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’u ratifikuar mjetet të cilat janë të parapara për investime kapitale që do të përfitonte ekonomia e Kosovës, biznesi për më shumë do të kishte përmirësuar standardin e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Rafuna theksoi se mosfunksionimi i Qeverisë po pengon investimet e brendshme dhe të huaja, ndërsa bizneset vendore po zhvendosen drejt rajonit.
“Mospasja e një Qeverie fuqiplotë, dhe me një angazhim dhe me një qasje shumë serioze dhe transparente, nuk po mundemi me u liru prej masave ndëshkuese të BE-së. Shto këto që i kemi edhe dialogun e pezulluar të SHBA-së, të gjitha këto po ndikojnë që të mos kemi investime në Kosovë, mos kemi zgjerim të investimeve brenda shtetit të Kosovës nga bizneset tona, por po ndodh e kundërta: bizneset e Kosovës po investojnë në vendet e rajonit, sidomos në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa investimet e huaja jo që nuk po vijnë të investojnë, por as nuk shprehin interesim me investuar në Kosovë. Kështu që kemi një nevojë shumë urgjente me pasur një qeveri dhe me zhbllokuar të gjitha proceset dhe me ec përpara në përmirësimin e imazhit të Kosovës së bashku me sektorin privat si partner në krahë, në mënyrë që ta bëjmë një ambient sa më atraktiv për investimet në Kosovë”, tha ai.
Rafuna ka thënë se situata aktuale e ka sjell vendin në një ekonomi që ka qenë në 2016-2017, pa çka ka shtuar se ka ndikuar në perspektivat për të rinjtë dhe duke vështirësuar gjetjen e fuqisë punëtore vendore për bizneset.
“E gjithë kjo situatë neve na ka sjellë në një rritje ekonomike që kemi pasur në vitin 2016-2017, bile atëherë ka qenë më e lartë se kjo. Tani e kemi 3.9%, ndërsa 2015 e kemi pasur mbi katër përqind. Ne nuk po mundemi me ec përpara, kjo nuk është për t’u lavdëruar. Të rinjtë dhe të rejat nuk po shohin perspektivë, shiheni numrin se sa kanë dalë. Sot, nëse i pyet bizneset se cila është sfida më e madhe, sfida më e madhe është gjetja e fuqisë punëtore. Përkundër që po tentojnë me importu fuqitë punëtore, në mungesë të fuqisë punëtore vendore, ajo forcë punë që po vjen prej Bangladeshit dhe vendeve të tjera nuk e ka target Kosovën me qëndru, mirëpo e shfrytëzon si një vend tranzit për me dalë në vendet e BE-së. Sfidat janë shumë të mëdha, por shpresojmë që do të kemi një qeveri. A mbahet zgjedhjet apo nuk mbahet, për ne si biznes është shumë e rëndësishme me pas Qeveri dhe me pas ministra kompetentë, vendimarrës dhe me transparencë, si dhe që bashkëpunojnë me sektorin privat”, tha ai.
Ai paralajmëroi se vonesat në reforma dhe marrëveshje mund të çojnë në humbjen e mjeteve financiare të dedikuara për Kosovën. /EO