Arbëri

Radoiçiqi transferoi pronësinë e gjashtë kompanive te vëllezërit Veselinoviq

Deri më 6 tetor, Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ishte – bashkë me Zvonko Veselinoviqin dhe Zharko Veselinoviqin – bashkëpronar i kompanisë ndërtimore “INKOP d.o.o”. nga Quprije, dhe pesë kompani të tjera nëpërmjet tij. Nga 6 tetori, Radoiçiqi nuk është më në listën e pronarëve. Radoiçiqi po hetohet nga autoritetet e Serbisë pasi pranoi organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku vdiq rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Radoiçiq ua dorëzoi vëllezërve Veselinoviq pronësinë në kompaninë ndërtimore “INKOP” dhe pesë kompani të tjera të lidhura me to, raporton "Danas". 

Duke e hequr veten nga lista e pronarëve të kompanisë “INKOP”, Radoiçiqi automatikisht pushoi së qeni bashkëpronar në pesë kompani të tjera – “Dolly Bell Novi Beograd” (aktivitete hotelesh dhe akomodime të ngjashme), “Novi Pazar – Put” (e regjistruar për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave), “Betonjerka Aleksinac” (merret me prodhimin e shtyllave të betonit, nënstacioneve dhe elementeve mbështetëse për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të energjisë), “VelmorTrans plus Ćuprija” (e regjistruar për transport tokësor urban dhe periferik të udhëtarëve ), por edhe “Road Construction Rožaja” në Mal të Zi (kompania simotër e kompanisë Novi Pazar - Put).

Këto pesë kompani janë 100% në pronësi të kompanisë “INKOP” me seli në Qupria, një nga pronarët e së cilës deri vonë ishte Milan Radoiçiq.

Gjatë vitit 2022, “INKOP”, së bashku me filialet e tij, ka realizuar të hyra nga biznesi rreth 85 milionë euro.

Pjesën prej 40 për qind të Radoiçiqit, pas daljes nga pronësia, e ndanë dy pronarët e mbetur - vëllezërit Veselinoviq.

Kështu, Zvonko Veselinoviq tani zotëron 60 për qind, në vend të 40 për qind të kompanisë, dhe Zharko Veselinoviq zotëron 40 për qind, në vend të 20 për qind të kompanisë “INKOP”.

Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviqi janë në qendër të kritikave në Beograd. Radoiçiqi po hetohet për përfshirjen në sulmin terrorist në Kosovë, ndërsa Veselinoiqi për vrasjen e një inspektori.