Prishtinë, 13 dhjetor - Ka vetëm dhjetë ditë qëkur “Trafiku Urban” në Prishtinë filloi qarkullimin falas për qytetarët për muajin dhjetor, por jo të gjithë qytetarët mund të kenë qasje në autobusët e trafikut urbanë. Kjo pasi që brenda në autobusë mund të hyjnë vetëm një numër i kufizuar udhëtarësh. Trafiku urban nuk lejon më shumë se 25 udhëtarë brenda një autobusi për shkak të masave mbrojtëse ndaj COVID-19.
Qytetarët e Komunës së Prishtinës shtyhen me njëri-tjetrin kur dera e autobusit hapet. Kufizimet anti-COVID, me vendimin e Qeverisë, kanë bërë që udhëtarët të jenë të pakënaqur. “Mendoj që është diskriminues”, ka thënë qytetari Bashkim Llugiqi.
Qytetarët shpesh edhe presin më gjatë autobusët dhe për pasojë vonohen për në vendin e punës apo për në shkollë.
“Këqyrni privat po hyjnë pa kontroll a të shtetit 25 veta. Kjo tregon se s’ka rregull, s’ka inspektorat, kjo është pasiguri e popullatës”, ka thënë një qytetar i Prishtinës.
Ndërsa, zyrtarët e “Trafikut Urban” kanë thënë për KOHËN se me vendimin për udhëtimin pa pagesë për muajin dhjetor është rritur numri i udhëtarëve në autobusët urbanë, gjë që edhe e ka vështirësuar punën për stafin e tyre.
“Nga niveli qendror është vendimi për respektim të masave mbrojtëse (bartje e maskave dhe distanca), ku si rrjedhojë është i kufizuar numri i udhëtarëve në 25 brenda një autobusi. Nga niveli lokal (Komuna) është vendimi për udhëtim pa pagesë, ku me ketë rast është rritur numri i përdoruesve”, kanë thënë zyrtarët e “Trafikut Urban”.
Edhe
Shkelen masat anti-COVID, shumë qytetarë pa maska në autobus
Sipas tyre, zgjidhja e këtij problemi është që të bëhet furnizimi me autobusë shtesë në të dy sektorët, atë shtetëror dhe sektorin privat, të cilët duhet të bëjnë reforma duke blerë autobusët që i plotësojnë standardet e udhëtimit.
Ndërsa, Komuna e Prishtinës ka thënë për KOHËN se numri i udhëtarëve të lejuar në autobus është në përputhje me vendimin e Qeverisë për masat kundër përhapjes së COVID-19, dhe se Komuna po i zbaton të gjitha vendimet anti-COVID me përpikëri.
Me gjithë përpjekjet e përditshme për t’i zbatuar masat mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit, “Trafiku Urban” i ka shkelur masat mbrojtëse në ditët kur ka pasur turma njerëzish sikurse ishte e ashtuquajtura “Black Friday”, apo në ditën e zgjedhjeve në Podujevë.