Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Trafiku Urban” maltreton udhëtarët

Punëtorët e “Trafikut Urban” po keqpërdorin masat e vendosura anti-COVID-19, duke mos u ndaluar nëpër stacione për të marrë udhëtarët, me arsyetimin se nuk kanë vende bosh.

Me vendosjen e këtyre masave nga Qeveria së Kosovës, autobusët e “Trafikut Urban” lejohen të shfrytëzojnë vetëm 50 për qind të ulëseve, që i bie të marrin vetëm nga 17 udhëtarë brenda.

Në një video të xhiruar me telefon nga ekipi i KOHËS, shihet se autobusi i “linjës 4” nuk ndalon fare në stacionin te “banesat e bardha”, përderisa ka ende karrige të zbrazura, me vetëm 13 udhëtarë brenda.

Një stacion më tutje, autobusi ndalet ku zbresin 3 persona, ndërsa brenda hyjnë 4 të tjerë. Qytetarët po maltretohen pasi kjo ndërmarrje publike paguhet nga Komuna e Prishtinës për kilometrat që kalon dhe nuk varet nga biletat e udhëtarëve.

Njësoj ndodh edhe në stacionin afër “rrethit të spitalit” dhe atij te tregu i “Ulpianës”.

Edhe Prishtina pa 30 autobusët që u premtua të mbërrijnë në 2022-tën Arbëri 4 muaj më parë Prishtina pa 30 autobusët që u premtua të mbërrijnë në 2022-tën

Pavarësisht se brenda ka hapësirë, autobusi ndalon për të zbritur udhëtarë në skaj të stacionit që qytetarë të tjerë të mos arrijnë të hyjnë brenda.

Edhe “linja 1” e transportit publik po e bën këtë gjë.

Vjollca Mernica, e cila çdo ditë vjen nga Fushë-Kosova, thotë se është vetë dëshmitare e kësaj gjëje.

Sipas saj, autobusët po ndalen jashtë stacionit për të zbritur udhëtarët duke mos marrë të tjerë.

Për shkak se në stacionin “Te plepat” ndodh shpesh që mos t’ia ndalin autobusin, ajo ecën në këmbë deri tek një stacion tjetër më shpresën se aty mund të ketë fat.
Qytetarët thonë se kjo gjë po ndikon që të vonohen edhe për punë.

Edhe Qytetarët presin autobusët pa ulëse e pa mbrojtje nga shiu Arbëri 5 muaj më parë Qytetarët presin autobusët pa ulëse e pa mbrojtje nga shiu

Drejtori i “Trafikut Urban”, Mentor Isufi, pranon se kjo gjë po ndodh, me arsyetimin se konduktorët po mundohen t’i ikin ballafaqimit me qytetarët, pasi ata nuk po kanë mirëkuptim kur nuk iu lejohet të futen të gjithë.

Ai thotë se punëtorët e këtyre linjave janë për t’u lavdëruar.

Ndërsa ai shton se do të shqyrtohen të gjitha ankesat e qytetarëve për këtë çështje, dhe do ndërmerren masa në bazë të rregullores.

Komuna e Prishtinës ka qëndruar e heshtur, pavarësisht pyetjeve që ka dërguar KOHA ditë më parë.

Edhe Dita e tretë e protestës, s’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë Arbëri 7 muaj më parë Dita e tretë e protestës, s’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për KOHËN nëse pritet të ndryshojnë këto masa, apo kush ka përparësi për futjen në autobus kur ka shumë udhëtarë.

Masat e njëjta vlejnë edhe për autobusët e linjave private, por ata nuk i respektojnë ato.