Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është treguar goxha aktiv këtë javë në rrjete sociale.
Nga Brukseli ku po qëndronte në kuadër të takimit me zyrtarë të BE-së, si bashkëkryesues i ekipit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, postimet e tij në Facebook kishin të bëjnë me punën e tij në kryeqytet.
Duke ushtruar detyrën e dytë që ia ka dhënë vetes, nga Belgjika, Ahmeti, publikoi fotografi në rrjete sociale për të treguar gjendjen e rrugëve të kryeqytetit pas reshjeve të borës, raporton 038 në KTV.
Në një postim tjetër, ai iu kundërpërgjigj Lëvizjes Vetëvendosje, ish-partisë së tij e cila e ka paditur në Prokurori me pretendimin për keqpërdorimin e 500 mijë eurove në një tender me qumësht për nxënësit e shkollave fillore.
Në anën tjetër, detyra e re e Shpend Ahmetit në dialogun e Brukselit, po shihet si e dëmshme për Komunën e Prishtinës.
Opozita në Kuvendin Komunal e ka kritikuar Ahmetin, duke thënë se po i lë anash problemet e shumta, në cilat ndodhet komuna.
Qytetarët thonë se angazhimi i tij në bisedime me Serbinë, është jolegjitim.
Ata kanë kërkuar që Ahmeti të zgjedhë mes detyrës si kryetar komune dhe asaj si bashkëkryesues i Ekipit negociator.
038 ishte interesuar për të realizuar një storie me nënkryetarët e komunë, për udhëheqjen e komunës gjatë kohës sa kryetari ka qenë jashtë vendit.
Komuna tha të enjten se nuk mund të realizojnë storien, pasi asnjëri nga nënkryetarët nuk gjendeshin në punë, duke thënë se kjo mund të bëhet sot.
Mirëpo, të premten kjo është anuluar, me arsyetimin se Kohavisioni ditë më parë kishte raportuar në mënyrë të njëanshme për udhëtimin e Ahmetit në Bruksel.