Arbëri

QNR-ja rekomandon rinumërim të rreth 500 vendvotimeve

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit të Rezultateve, me disa rekomandime edhe për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se QNR-ja ka ardhur te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur ta kalojnë procesin e auditimit.

“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor. QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit. Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve, si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka njoftuar Elezi për KOHËN.

KQZ-ja mban mbledhje sot nga ora 13:00.