Është rinovuar Klinika e Gjinekologjisë në QKUK, në kuadër të së cilës është themeluar edhe reparti për Fertilizim të Asistuar. Shërbimi i ri do të nisë në gusht, por ai nuk do t’u ofrohet grave pa partnerë e çifteve që duan fëmijë përmes donatorëve. Kryeministri Kurti nuk pranoi të përgjigjej se kur synon ta kalojë në Kuvend edhe ligjin për Fertilizim të Asistuar, kundër të cilit janë shumë deputetë të Vetëvendosjes
Zyrtarët e Qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti, kanë zgjedhur të mos flasin për bllokimin e ligjit për Fertilizim të Asistuar, ditën që promovuan rinovimin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.
Investimi në vlerë rreth 5.5 milionë euro përfshin edhe hapësirën për dy reparte të reja të themeluara, atë të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF) si dhe repartin e Mjekësisë Fetale.
Kryeministri Kurti e lavdëroi punën e bërë.
“Dikur kanë qenë shtatë apo tetë gra në një dhomë, ndërkohë që tualeti ka qenë në një skaj të korridorit e përbashkët, tash në secilën dhomë janë vetëm dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyjë sanitare dhe banjë. Pastërtia është maksimale, cilësia e ajrit është e lartë, ndriçimi është i këndshëm dhe përkushtimi i mjekëve dhe i infermiereve është maksimal”, ka thënë ai.
Kryeministri nuk pranoi pyetje nga gazetarët, përfshirë pyetjen për dështimin për ta kaluar në Kuvend ligjin për IVF, kundër të cilit janë një pjesë e deputetëve të partisë që ai udhëheq - Vetëvendosje.
E me fillimin e dhënies së shërbimeve të reja në këtë repart, do të ketë edhe seleksionime.
Në QKUK do të fillohet vetëm me shërbimin IVF homolog, që nënkupton se gratë pa partnerë dhe çiftet që duan fëmijë përmes donatorëve, nuk do të mund ta kryejnë këtë procedurë në sistemin publik.
IVF-ja do të jetë vetëm për çiftet që kanë qelizat e tyre, por që shtatzënia nuk mund të realizohet në rrugë normale.
Prej vitit 2016, kur në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për Kundërvajtje, shkeljet e konstatuara te një pjesë e shërbimeve shëndetësore nuk sanksionohen. Pas ndryshimeve në të, është përcaktuar që gjoba nuk mund t’i shqiptohet asnjë institucioni në rast se nuk e parasheh ligji.
Për Fertilizim të Asistuar ka vetëm Udhëzim Administrativ. E, në mungesë ligji, spitalet private janë të amnistuara nga ndëshkimet për çfarëdo shkelje, e po ashtu edhe reparti i ri në kuadër të Gjinekologjisë, që u përurua të martën.
Aktualisht ky shërbim bëhet vetëm në sektorin privat. Por, ai është i rregulluar veç me Udhëzim Administrativ e që i bën sanksionet e parapara të pazbatueshme.
Në përgjigjen që MSH-ja ka dhënë javë me parë, thuhet se arsyeja se pse kjo fushë do të duhej të rregullohej me ligj e jo me udhëzim administrativ, qëndron pikërisht për faktin se aktualisht nuk parashihen sanksione.
“Kjo fushë ka qenë e domosdoshme të rregullohet me ligj për shkak se në bazë të Ligjit për Kundërvajtje (viti 2016) sanksionet kundërvajtëse nuk mund të shqiptohen me UA”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
E faktin se është e pamundshme të shqiptohen gjoba për shkelje për shërbimet që janë të rregulluara me Udhëzim Administrativ e dëshmon një aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me inspektimet në disa spitale private gjinekologjike.
Vendimi që përmend Ministria pati konstatuar që nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për gjoba të tilla. Gjykata i është referuar vetëm Ligjit për Shëndetësi që rregullon në parim funksionimin e institucioneve shëndetësore, por nuk ka të paparaparë gjoba, sidomos për shkeljet në procesin e Fertilizimit të Asistuar.
“Në këtë kontekst gjykata erdhi në përfundim se asnjë dispozitë e çfarëdo akti nënligjor, e që në rastin konkret janë dispozitat ligjore në UA 06/2016 për Frytnimin e Asistuar Mjekësor, nuk mund të jenë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi si akt më i lartë në hierarkinë juridike dhe i cili në rastin konkret, përmes nenit 96, paragrafit 1, të Ligjit për Shëndetësi, parashihet ndëshkimi me gjobë nga dy mijë në tetë mijë euro”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ministri Vitia nuk ka treguar se si do të adresohet kjo çështje, por ka thënë që nga fillimi i gushtit do të fillojë procesi i IVF-së në publik.
“Të gjitha do të jenë të gatshme në fund të korrikut, në fillim të gushtit dhe besoj me interesimin e shtuar të çifteve në Republikën e Kosovës që ta bëjnë këtë procedurë dhe për shkak që kjo procedurë kushton shumë në sektorin privat, unë jam shumë i sigurt që në fillim të gushtit menjëherë do të kemi interesim dhe do ta kemi çiftin e parë e pastaj çiftët e tjera që do ta realizojnë këtë procedurë”, ka deklaruar Vitia të martën.
Aktualisht në Ligjin për Shëndetësi nuk ka sanksione për shkeljet që mund t’i bëjë një spital privat për shëndetin riprodhues.