Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria u kërkon komunave lokacione për “banimin e përballueshëm”

Deri më 22 shkurt kanë afat komunat që të çojnë në Qeveri lokacionet e përshtatshme për projektin e banimit të përballueshëm, ka njoftuar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë kryer disa faza për këtë çështje dhe se “jetësimi i projektit të banimit të përballueshëm në vendin tonë po merr rrugën e vet”.

“Pas realizimit të studimit të fizibilitetit, sigurimit të mbështetjes financiare dhe draftimit të Ligjit, jemi në fazën e identifikimit të lokacioneve për objektet e banimit. Tashmë kemi dërguar thirrjen nëpër komuna dhe kemi filluar të marrim përgjigjet e para. Kemi kërkuar lokacione të përshtatshme të parapara në planet hapësinore lokale dhe me qasje adekuate në infrastrukturë. Do eliminojmë getot duke realizuar banimin e kombinuar social e të përballueshëm në ambiente të përshtatshme banimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, çiftet e reja, punëtorët e administratës e familjet me të hyra të kufizuara që aplikojnë do të mund të marrin banesa me çmime të përballueshme.

Aliu ka kërkuar nga komunat që të çojnë sa më shumë lokacione të mundshme për banim të përballueshëm.

Premtimi i Vetëvendosjes ka qenë që ky projekt të përfundojë brenda mandatit. VV-ja ka hyrë në vitin e fundit të mandatit.