Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria s’e komenton “non-paperin” për dialogun

Qeveria e Kosovës s’ka pranuar të komentojë “non-paperin” e publikuar nga KOHA Ditore lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Të hënën, KOHA publikoi një dokument që thuhet të jetë një “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Dy shtetet kanë mohuar se kanë gisht në këtë dokument, por s’e kanë mohuar se ai ekziston. Për letrën që parashihte që të dyja palët do të duhet të respektojnë moratoriumin në skenën ndërkombëtare, e që propozonte që secila palë të respektonte sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër dhe parashihte edhe një “distrikt autonom i Kosovës veriore”, Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se s’kanë gisht.

“I ashtuquajturi ‘non-paper germano-francez’ i botuar nga Koha Ditore është lajm i rremë! Mund të ketë një dokument të tillë, por sigurt nuk është gjermano-francez. Përkrahja jonë e plotë është për dialogun e udhëhequr nga BE-ja të udhëhequr nga EUSR Miroslav Lajcak ashtu siç e theksoi sërish ministri i Jashtëm gjerman Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar ambasadori gjerman Jorn Rohde në Twitter, ndërsa të njëjtën deklaratë e ka dhënë edhe Ambasada e Francës në Kosovë. “Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit ‘non-paper’ franko-gjermane të botuara sot nga Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e BE-së dhe mirëpresim përpjekjet e ndërmarra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar me dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak”, thuhet në reagim.

E kontaktuar nga KOHA për të dhënë një koment për këtë “non-paper”, Qeveria e Kosovës ka thënë shkurt se pas deklarimeve të Francës dhe Gjermanisë “s’kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”.

Për dokumentin ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai e ka quajtur të tmerrshëm për Serbinë, ndërsa ka shtuar se është hartuar nga “dikush shumë, shumë i mençur”.