Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pret që nga dialogu me Serbinë të arrihet njohja e dyanshme, asgjë më pak.
Ai pas takimit me Kryesinë e AAK-së, të martën pasdite, ka thënë se “non-paperi” i publikuar së pari nga KOHA, ku parashihet marrëveshja Kosovë – Serbi, nuk është për diskutim.
“Askush nuk ka mandat të dialogojë Kosovën e 17 shkurtit e debatet e ngritura së fundmi për disa të ashtuquajtura ‘non paper’, nuk janë çështje për diskutim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Të hënën, KOHA publikoi një “non-paper”, që sipas burimeve të saj, prapa letrës qëndrojnë Franca e Gjermania, por zyrtarisht, kjo është mohuar nga ambasadat e këtyre vendeve në Prishtinë.
Haradinaj ka shtuar se temat nacionale nuk janë ekskluzivitet i askujt, dhe se për to duhet diskutim e pajtim paraprak.
“Temat nacionale nuk janë ekskluzivitet i askujt. Askush nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin Kurti, nuk duhet të ndërmarr veprime sa i përket temave të dialogut me Serbinë e që do e befasojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Askush nuk duhet të hyjë në obligime të fshehta apo të hapura, pa dakordim paraprak me spektrin politik në Kosovë, përkatësisht Kuvendin e Republikës së Kosovës. Aleanca pret njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues, karakterin unitar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Edhe
AAK-ja publikon kërkesat në letrën e 6 majit të dërguar Kurtit
Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të kryejë të gjitha obligimet lidhur me dialogun, si parti opozitare në Kuvendin e Kosovës.