Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria rriti shpenzimet për afro 144 mln euro në fund të 2022-tës

Qeveria e Kosovës sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka rritur shpenzimet e saj për 143.9 milionë euro në tremujorin e fundit të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas publikimit të ASK-së i cili paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare për tre muajt e fundit të vitit të kaluar Qeveria në atë periudhë ka shpenzuar gjithsej 966.5 milionë euro, që thuhet se është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur ishin shpenzuar 822.6 milionë euro.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet me 19.0%; subvencionet me 18.0%; kompensimi i punëtorëve me 18.0%; formimi i kapitalit bruto me 15.0%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Gjithashtu janë rritur edhe të hyrat. “Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2022 ishin 732.1 milionë euro, që është një rritje e të hyrave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021), që ishin 627.1 milionë euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte (67.0%) të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura (13.0%); aktivet dhe detyrimet financiare (11.0%); pagesat për prodhimet jo-tregtare (4.0%); ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftim.