Arbëri

Qeveria miraton disa projektligje e vendime, ndan 70 mijë euro për librin “Reçaku” të Walkerit

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar disa projektligje dhe vendime.

Qeveria ka miratuar projektligjin për investime të qëndrueshme. Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me këtë ligj synojnë që të mbrojnë dhe të tërheqin investimet dhe të vendosnin bazën për të përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar edhe Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se ky Projektligj ka për qëllim të rregullojë themelimin dhe menaxhimin e parqeve industriale teknologjike.

Hajdari ka thënë se synojmë që të ofrojmë përmirësimin e infrastrukturës së institucionet vendore dhe të huaja.

Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin për masat emergjente në furnizimin me energji. Këtë propozim-vendim e ka arsyetuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Duke qenë se furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë në rrezik që lidhet me rritjen e çmimeve në fund të muajit shkurt e mars veçanërisht, propozojmë masat emergjente në mesin e të cilave me ndalimin e përdorimit të energjisë për prodhimin e kriptovalutat”, ka theksuar Rizvanolli.

Qeveria e Kosovës në këtë mbledhja ka ndarë 70 mijë euro për promovimin e librit “Reçaku” të ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Gjithashtu janë ndarë edhe 100 mijë euro për mbështetje të Fondacionit amerikano-kosovar për Edukim si dhe 250 mijë euro për organizimin e eventit "Muri i Nderit" nga Fondacionit shqiptaro-amerikan.

Sipas këtij vendimi pos kostos së ndërtimit të monumentit një pjesë e mjeteve janë ndarë edhe për organizimin e ngjarjes.

Gjithashtu janë ndarë mbi 58 mijë euro për mbajtjen e Forumit të investimeve.

Qeveria në këtë mbledhje me propozim të ministrit të Financave Hekuran Murati, ka ndarë edhe 5 milionë euro për mbulimin e subvencionimit të kursimit të energjisë elektrike, nga i cili sipas Muratit janë duke përfituar rreth 200 mijë qytetarë çdo muaj. Qeveria ka ndarë edhe 25 mijë euro për disa pagesa për pakon e përballjes me inflacionin.

Ndërsa për përballueshmërinë ose mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike Qeveria ka ndarë edhe 24.6 milionë euro, që janë pjesa e mbetur e mjeteve prej 90 milionë eurove të zotuara vitin e kaluar.

Qeveria ka emëruar edhe kryesuesin dhe tre anëtarë të Bordit të Kompanisë rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini SH. A. Pejë”. Jusuf Nikqi është emëruar kryetar ndërsa anëtarë janë emëruar Mevlude Kelmendi, Simon Balaj dhe Driton Syca.

Ekzekutivi ka miratuar edhe draftin e Strategjisë së transportit multimodal për vitet 2023-2030 si dhe draftin e Koncept-dokumentit për fushën e automjeteve.