Arbëri

Qeveria e emëron drejtor të AUV-it zyrtarin që dëmtoi buxhetin

Qeveria Kurti

Foto: Alban Bujari

Qeveria e Kosovës e ka emëruar të mërkurën drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën, i cili si ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë pati dëmtuar buxhetin për më shumë se 15 mijë euro në një vendim të mëhershëm.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar punën e komisionit rekrutues, me propozimin e të cilit është emëruar Hoxha. 

E ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka lavdëruar Hoxhën. Ai ka thënë për të se e ka përgatitjen e duhur në nivel akademik e institucional.

“Zotëri Hoxha ka ushtruar disa pozita të rëndësishme në nivel të institucioneve, në pozita menaxheriale, duke përfshirë edhe dëshmitë e dhëna si ushtrues detyre si drejtor i AUV-it ku ka demonstruar vendosmëri për avancimin e sektorit, digjitalizimin, rritjen e efikasitetit dhe transparencës dhe për të arritur synimet që kemi”, ka thënë Peci.

Por KOHA pati raportuar në vitin 2020 se në  cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë, Hoxha e ka nënshkruar një kontratë për rinovimin e dy kateve në ndërtesën private, në të cilën është e akomoduar Ministria, pa pasur kontratë për shfrytëzim të njërit prej tyre. Më pas, Ministria ka refuzuar që t’ia paguante mjetet kompanisë që e kishte angazhuar për ta rinovuar atë kat. 

Kompania i ka kërkuar paratë nëpërmjet gjykatës dhe rastin e ka fituar. Për pasojë, buxheti i shtetit është dëmtuar për më shumë se 30 mijë euro.

“Kreditori në përgjigjen në prapësim të paraqitur brenda afatit ligjor, ka kundërshtuar në tërësi prapësimin e debitorit si të pabazë, duke theksuar se debitori e ka konfirmuar atë që është thënë në propozim për përmbarim dhe parashtresën për precizimin e propozimit të përmbarimit të dërguar te përmbaruesi privat, me të cilën e ka njoftuar organin përmbarimor se debitori i është përgjigjur pretendimeve të kreditorit duke paguar shumën prej 15,857.10 € në llogari të kreditorit më datën 15.07.2021, dhe duke mbetur borxh në shumën prej 15,656.75 €”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Komerciale. “Tutje ka theksuar se debitori qëllimisht i është referuar gabim dispozitave ligjore përmes të cilave pretendon se propozimi për përmbarim nuk i plotëson kushtet si dokument ekzekutues/përmbarues, ngase shihet qartë se debitori me anë të këtij prapësimi ka pasur vetëm një qëllim, dhe atë vonesat edhe të mëtejshme të pagesës së kreditorit”.

Pavarësisht kësaj, Hoxha ishte listuar i pari me pikë nga mesi i kandidatëve për ta udhëhequr AUV-in.

Njësia e Burimeve Njerëzore në këtë agjenci e pati përfshirë Hoxhën në listë të ngushtë, bashkë me katër kandidatë të tjerë. Ndërkaq, Komisioni Shtetëror i Pranimit, pas testimit dhe intervistimit, e ka radhitur Hoxhën si më të mirin kandidat me 91 pikë, duke e lënë pas Festim Rexhepin me 84 pikë. 
Më pas, emrat e këtyre dy kandidatëve fitues i janë dërguar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për rekomandim te Qeveria. 

Edhe pas problemit me kontratat që dëmtuan buxhetin e shtetit, ministri Faton Peci e pati caktuar Hoxhën për zëvendëskryeshef të Agjencisë së Pyjeve.

Më 2022, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për përdorimin e veturave zyrtare, ministri Peci i pati lëshuar autorizim për një vit Hoxhës për përdorim të veturës, duke u justifikuar se ajo do t’i duhej për mbrojtjen dhe për parandalimin e prerjes së pyjeve. Pas raportimit të KOHËS, ministri e pati ndryshuar këtë vendim.