Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria do të shqyrtojë rishikimin e buxhetit e ndaljen e eksporteve të produkteve bazë

Qeveria e Kosovës - 100 euro

Ndalimin e përkohshëm të eksporteve të produkteve themelore agro-ushqimore dhe miratimin e vendimit për rishikim të buxhetit do të shqyrtojë Qeveria e Kosovës të mërkurën në mbledhjen ku po ashtu pritet të votohen masat e reja ekonomike në ndihma prej 100 euro për të gjithë punëtorët, pensionistët e studentët.

Kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë ka thënë se vendimi për ndalimin e eksportit të produkteve bazë është me qëllimin që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me produktet si gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.

Për rishikim të buxhetit ai ka thënë se me miratim buxheti do të rritet nga 2.75 në 2.9 miliardë euro.

“Masat mbështetëse që i prezantuam dje nuk janë politika fiskale apo politika zhvillimore, e as nuk synojnë t’i zëvendësojnë këto të dyja. Ato janë politika sociale, mbështetëse për qytetarët në një kohë sfiduese. Nëpërmjet tyre po rishpërndajmë rritjen ekonomike prej 10.53%, e cila është arritur, përpos tjerash, falë politikave zhvillimore të qeverisë sonë. Siç edhe konstaton Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike në vendin tonë është stimuluar nga tre faktorë kyç: menaxhimi i suksesshëm i pandemisë nëpërmjet një fushate efektive të vaksinimit; mbështetja e diasporës; dhe zbatimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, ka thënë Kurti duke shtuar se së shpejti do të lansohet edhe skema e punësimit të garantuar për të rinj.

Më pas ai ka krahasuar vendimin e fundit të Qeverisë që e udhëheq me Francën që kishte ndarë nga 100 euro po ashtu për të gjithë punëtorët dhe pensionistët e me Gjermaninë që kishte ndarë nga 300 euro për të gjithë punëtorët pas shtrenjtimit të energjisë.

“Nëse në rastin e Francës dhe Gjermanisë është pasuria e kombeve dhe fuqia ekonomike e tyre, që mundëson këso masa mbështetëse, në rastin tonë janë besimi në institucione dhe etika tatimore e qytetarëve, që po e bën të mundur këtë mbështetje. Vitin e kaluar të hyrat buxhetore u rritën për 1/3. Këtë tremujor, të hyrat përveçse janë më të larta se sa vitin e kaluar - afër 17%, edhe një herë janë më të larta se sa parashikimet e vet institucioneve. Këto janë para të qytetarëve, të cilat ne po ua kthejmë qytetarëve kur ata kanë nevojë, sepse ata kanë nevojë. Prandaj është tejet e rëndësishme, që të përsërisim thirrjen që të blejmë sa më shumë produkte vendore dhe të kërkojmë kuponët fiskalë për produktet dhe shërbimet e paguara”, ka thënë ai.