Për projektin “Solar4Kosovo” të mërkurën u diskutua në një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe disa nga ministrat e tij qeveritar, me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, dhe përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim.
Ky projekt është vlerësuar të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë e që do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve, distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK). Me këtë projekt sistemit të ngrohjes së Prishtinës do t'i shtohen rreth 70 MW, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Në komunikatën e zyrës thuhet se projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe se projekti përfshinë ndërtimin e kolektorëve diellorë prej përafërsisht 69.000 m2.
“Me masat për zgjerimin e rrjetit që synojnë shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor, në rrjetin e ngrohjes qendrore do të kyçen deri në 12.000 familje ose 60.000 banorë. Projekti do të reduktojë kërkesën për energji elektrike për qëllime ngrohjeje dhe do ta rris cilësinë e ajrit, me rreth 40.000t kursime të dioksidit të karbonit në vit”, thuhet në komunikatë.
Kurti njoftoi që në mbledhjen e sotme Qeveria mori vendim që t’i japë Ndërmarrjes Publike “Termokos” në shfrytëzim 4 parcela për realizimin e këtij projekti. Qeveria ka miratuar edhe këmbimin e paluajtshmërive në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Obiliqit për nevoja të sigurimit të lokacionit për realizimin e Projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo’’.
-
Nënshkruhet marrëveshja mbi 80-milionëshe për ngrohtoren diellore në Prishtinë
-
Nënshkruhet marrëveshja për financimin e projektit “Solar 4 Kosovo”
-
Mbi 80 milionë euro për projektin “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore”
-
Nënshkruhet marrëveshja për projektin “Solar për Kosovën-Ngrohje Qendrore”
-
Projekti “Solar4Kosovo” do të mundësojë ngrohje për 60 mijë qytetarë