Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Projekti “Solar4Kosovo” do të mundësojë ngrohje për 60 mijë qytetarë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kanë vizituar të mërkurën vendin ku do të jetësohet një nga projektet më të mëdha të energjisë diellore në Evropë.

Aliu ka thënë se nëpërmjet këtij projekti të quajtur “Solar4Kosovo”, do t’u mundësohet ngrohja qendrore rreth 60 mijë qytetarëve apo 12 mijë familjeve.

Si projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovës dhe i pari që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike, Aliu ka përmendur edhe disa nga përfitimet që pritet t’i sjell ky projekt.

“Nga ky bashkëpunim i ndërsjellë do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit tonë, me ç’rast: Do të ju sigurohet kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo rreth 60.000 banorë; Do të reduktohet emetimi i dioksidit të karbonit për 40.000 t. në vit; Do të shtohen kapacitetet me rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë; Do të reduktohet kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes; Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2”, ka shkruar Aliu në Facebook.