Arbëri

Qendra e vaksinimit në Pejë mbetet në terr, qytetarët kthehen prapa derisa të kthehet rryma

Qytetarët që kishin shkuar pas orës 16.00 sot për të marrë vaksinën kundër Covid-19 në qendrën e vaksinimit në Pejë, ju është dashur të kthehen prapa pasi në qendër u ndal rryma.

“Shkon të vaksinohesh dhe tamam hyn brenda e ndalet rryma. Prita 10 minuta e me than shko në shpi edhe kur të vjen rryma eja. Eja pas një ore ndoshta vjen rryma, kështu na thanë në qendër të vaksinimit. Është diçka qe ndodh, por duhet me pas gjenerator, qe ekipi me vazhdua punën, që qytetaret mos me u kthye, sepse askush nuk e ka durimin me prit një orë a ma shumë sepse askush nuk garanton që pas një ore mund të vij rryma”, tregon për KOHËN qytetarja Elona Myrta-Lajqi, që ishte shkuar të vaksinohet por shkaku i mungesës së rrymës ishte kthyer prapa.

Ajo thotë se duhet të krijohen kushte edhe me gjenerator që ekipet e vaksinimit të vazhdojnë vaksinimin e të mos varen nga ardhja e shkuarja e rrymës.

“Duhet ndërmarr masa nga Drejtoria e Shëndetësisë qe të sigurojë gjeneratori, që qytetarët të vaksinohen e jo të kthehen, se kjo i demotivon edhe mund te mos shkojnë serish të vaksinohen. Besoj qe Drejtoria e Shëndetësisë do e trajtojë me urgjencë këtë problem me rryme në qendrën e vaksinimit”, thotë ajo.

E në Drejtorin e Shëndetësisë, tregojnë se kjo nuk është hera e parë që kanë probleme me rrymë aty.

“Kemi pas problem edhe para do dite aty. Kam frike mos ka ndonjë defekt, se reduktime s’di që ka pas. Gjeneratorin e kemi, një të vogël sa për drita, por s’di pse nuk e kanë ndez. Tash e dërgova shërbimin teknik me pa se çka është puna”, tha për KOHËN drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci.

Rrjeti i rrymës në objektin e amortizuar të Pallatit të Kulturës është i vjetër dhe qendra e vaksinimit është e sistemuar në hapësirat e galerisë së arteve në katin përdhes, e cila nuk ka pas rrymë as më herët. Energjinë elektrike për qendrën e vaksinimit siç tha Loci janë duke marr me kabllo të zgjatura nga objekti i ri i qëndrimit ditorë për pensionistë, i cili gjendet afër pallatit të kulturës.

“As galeria e artit nuk ka pas ndriçim dhe me ju ik nga këto probleme e kemi marr rrymën në objektin e pensionistëve. Me siguri ka pas ndonjë defekt në rrjet apo e ka gjuajt sigurese se edhe klimat në qendër të vaksinimit i kemi të lidhura në rrjetin e objektit të pensionistëve”, tregon Loci mundësinë e problemit me rrymë që po shfaqet në qendër të vaksinimit.