Qendra e Studentëve në Kosovë është e gatshme që të strehojë 4 mijë studentët e pranuar për vitin akademik 2022/23.
Drejtori i kësaj qendreje, Isak Beha, tha se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se kjo qendër ka arritur nivelin më të lartë, krahasuar me konviktet tjera në Ballkan.
Derisa krahason kushtet e së kaluarës me ato që aktualisht ofron kjo qendër, Beha tha se tashmë ato janë shumë më të mira.
Sipas tij, në Qendrën e Studentëve nuk ka asnjë parregullsi, porse nuk mohon hapësirën për përmirësim të kushteve të mëtutjeshme.
“Momentalisht qendra e studentëve mund të them se ka arritur nivelin më të lartë sesa konviktet që posedon rajoni. Tash për tash në qendrën e studentëve në lokacionin ku jemi nuk kemi ndonjë problem me të cilin ballafaqohemi. Mirëpo shikuar kërkesat e studentëve në raport me kapacitetin që kemi, vendin që kemi edhe tash momentalisht bazuar në këtë shtrohet kërkesa dhe nevoja ende për vende për studentë të cilët aplikojnë të banojnë në konviktet e studentëve”, tha ai.
Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar të dielën rezultatet e studentëve të pranuar në konvikte dhe mensë për vitin akademik 2022-23, ku nga 6 mijë aplikues në këtë qendër janë pranuar 4 mijë studentë, të cilët i kanë përmbushur kriteret e pranimit.
Beha tha se janë bërë përgatitjet e disa prej vendeve ku do të vendosen studentët.
“Këtë vit me planifikim buxhetor të vitit paraprak që kemi bë kemi ngjyrosur në tërësi konviktin me numër 3, 8 dhe 5. Përpos këtyre ne për çdo vit bëjmë edhe riparimin dhe kontrollimin aty ku ka nevojë për riparim, të të gjitha mjeteve higjienike sanitare. Mirëpo edhe në kuadrot e tjerë që janë sallat për lexim, për riparime të dëmeve që eventualisht janë shkaktuar nga viti i kaluar. Edhe kjo qendër e studentëve do të funksionojë në çmimet e njëjta, si në vitin e kaluar. Banimi për një studentë është 20 euro dhe ushqimi 15 euro, gjithsej 35 në muaj. Përderisa është qendra e studentëve do të ketë subvencione nga Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Arsimit. Qendra e studentëve do të funksionojë me këto çmime ekzistuese që janë”, tha ai.
Ai tha se për të siguruar mbarëvajtje dhe transparencë ka shërbyer sistemi i aplikimit online dhe ai i llogaritjes nga ana e vet sistemit.
E sa i përket ushqimit që do t’iu ofrohet studentëve, ai tha se për të njëjtat marrin udhëzime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. /KSP