Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në kthimin e plotë në shkolla më 13 shtator dhe mësimi të jetë me orar të plotë e jo të cunguar.
“Përkushtimi institucional duhet të jetë në rikthimin e plotë në shkolla. 13 shtatori duhet të gjejë nxënësit në shkolla me orar të plotë e jo të gjysmuar. Modalitetet e organizimit vijnë si udhëzim nga MASHTI-i pastaj, rreth distancës në klasa e shumëçka tjetër që duhet të institucionalizohet e të kthehet në përgjegjësi në zbatim te komuniteti i shkollës. Prezenca fizike e kthimi i plotë në shkolla duhet të jetë prioritet nacional. Gjatë dy viteve pandemike kemi humbur shumë. Kemi pasur proces të cunguar të mësimdhënies që ka ndikuar për keq në cilësi. Rikthimi pastaj me orar prej 30 apo 25 minutave është dëshmuar joefikas, pasi nuk është mundur të realizohet planprogrami.
Qehaja në emisionin “SOT” në KTV ka thënë se studimet dëshmojnë se rreziku i transmetimit të virusit në shkolla është shumë më i vogël se në ambiente tjera. E po ashtu numri i fataliteteve te fëmijët si pasojë e koronavirusit, është shumë i vogël. Ai ka thënë se kjo duhet t’u kumtohet prindërve që të qetësohen.
“Nuk besoj se reduktimi i nxënëse ose i orës mund të kontribuojë në zvogëlim të rasteve apo në transmetim të virusit. Këtë na dëshmojnë plotë studime. Nuk jam i thirrur për këtë, por po i referohem me profesionalizëm studimeve empirike të kryera nga vendet tjera, që dëshmojnë se rreziku i transmetimit në shkollë është më i vogël se në ambiente tjera. Kjo duhet të jetë edhe siguria që ia ofrojmë nxënësve e prindërve për rikthim të plotë në shkolla. Të mos i shqetësojmë me raste në rritje të infektimit të nxënësve e fëmijëve, këto kanë kuptim nëse vdekjet janë në rritje. Vdekjet për këto grupmosha në vendin tonë janë njëshifrore e me një statistikë shumë miminale, dhe atë kryesisht të fëmijëve që kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese. Përgjatë këtyre dy vjetëve pandemike, numri i fëmijëve të vdekur nga koronavirusi është superminimal, thuajse inekzistent. Është e arsyeshme të komunikohet tutje kjo edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Pasi këto hamendësime se po infektohen shumë fëmijë, shkaktojnë shqetësim te komuniteti. Pasi si prind ndjehesh i shqetësuar për rikthimin. Por statistikat bëhen të plota nëse merret parasysh rrezikshmëria nga fataliteti. Është përgjegjësia e institucioneve ta komunikojë këtë”, ka thënë Qehaja.
Ai ka thënë se shumë prindër mezi po presin që të hapen shkollat e të mbahet mësimi me prezencë fizike e orar të plotë.
Edhe
Qehaja: Mësimi duhet të fillojë më 1 shtator, me prezencë të plotë fizike
Qehaja ka thënë se është vaksinuar një numër i madh i mësimdhënësve, ndërsa ata që nuk janë vaksinuar, institucionet duhet të marrin masa, të shohin nëse mund të kthehen të pavaksinuar në shkolla.
“Besoj në vullnetin e mirë dhe vetëdijen e lartë të mësimdhënësve për t’u vaksinuar. Besoj se deri më 13 shtator komuniteti i mësimdhënësve do të jetë i vaksinuar në një përqindie të lartë, krahasuar me komunitetet tjera”, ka thënë Qehaja.