Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” ka thënë se procesi mësimor, duhet të fillojë me prezencë të plotë fizike që nga shtatori, pa ndonjë shtyrje.
Qehaja ka thënë në “SOT” të KTV-së se mësimi me prezencë fizike, tejkalon çfarëdo rreziku potencial që mund të vijë nga vetë virusi.
Sipas tij, dëmet që nxënësit janë duke i pësuar nga mosprezenca në shkolla, janë shumë më të mëdha se rreziqet që vijnë nga virusi.
“Procesi mësimor duhet të fillojë me prezencë të plotë fizike që nga shtatori pa ndonjë shtyrje, mësimi me prezencë fizike tejkalon çfarëdo rreziku potencial që mundet me ardh prej vetë virusit. Dëmet që nxënësit tanë që janë duke i pësuar nga mosprezenca në shkollë, janë shumë më të mëdha se rreziqet që vijnë prej virusit. Është mirë që institucionet përgjegjëse, të dalin me statistika se kush është infektimi i vërtetë dhe kush është rreziku në jetën e fëmijëve. Nëse ky rrezik është minimal e që në vlerësojmë se si i tillë është për këto grup-mosha, atëherë skenari i rikthimit me prezencë të plotë është edhe njëherë zgjidhja ideale”, ka thënë Qehaja.
Ai ka shtuar se të gjithë e kanë kuptuar që kalimi në të mësuarit online, ka qenë një zgjidhje jo e mirë, dhe se pasojat nga ky skenar do të jenë afatgjate.
“Kushdo i përfshirë në arsimin e vendit tonë, tashmë për një vit e gjysmë e kanë kuptuar se kalimi në skenarin tjetër ose të mësuarit në tërësi online ka qenë jo zgjidhje e duhur pasi nxënësit kanë ngecur shumë në mësimnxënie. Komuniteti i mësimdhënësve ka qenë jo shumë i përgatitur për ofrim të procesit mësimor. Gjatë kësaj periudhe humbja ka qenë shumë e madhe dhe dëmet do të jenë afatgjate. Në periudha afatgjate dëmi nga ky proces i cunguar i mësimit janë çoftë në zhvillimin kognitiv të nxënësve qoftë në performancë akademike”, është shprehur Qehaja.
Edhe
Për fillimin e vitit të ri shkollor kërkohet staf shtesë i mësimdhënësve
Rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit, ka ngritur shqetësimet nëse do të mund të fillojë procesi mësimor më 1 shtator, me prezencë të plotë fizike.
Këto shqetësime janë rritur edhe më shumë për faktin se një pjesë e madhe e mësimdhënësve ende nuk janë vaksinuar.