Arbëri

Qehaja: Cikli i grevave, në dëm të nxënësve tash e 20 vjet

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, deklaroi të enjten, se grevat janë të garantuara me ligj, por që nuk duhet ta cenojnë të drejtën e nxënësve për t’u shkolluar. Qehaja tha në “60 Minuta” të KTV-së, se në 20 vjetët e fundit, cikli i grevave në Kosovë ka qenë në dëm të nxënësve e me interesin për përfitime sindikale.

“Jam i bindur se kjo duhet të ndryshojë. Është e rëndësishme që fëmijët tanë të kthehen në banka shkollore dhe procesi duhet të vijojë. Nuk kemi kohë të humbim. Ky është një cikël i ripërsëritshëm në 20 vjetët e fundit, në dëm të nxënësve e me interesin për përfitime sindikale. Kemi plot vende që kanë bërë greva, pa e bllokuar sistemin arsimor”, tha Qehaja.

Sipas tij, në vendet perëndimore, procesi arsimor konsiderohet interes shtetëror, e kjo siç u shpreh ai, në Kosovë të rishikohet në aspektin legjislativ.

“Për vendet perëndimore por edhe për ne, arsimi i të rinjve është interes nacional, që nuk guxon të cenohet për çfarëdo arsye. Dua t’i ilustroj reagimet sindikale perëndimore, ku mësimdhënësit janë në grevë, shkojnë në shkollë, por nuk i notojnë nxënësit. E kanë të kufizuar reagimin administrativ. Kjo është praktikë e dëshmuar gjithandej”, tha ai.

Qehaja potencoi se mësimdhënësit nuk janë përfshirë me dëshirë në grevat e nisura të enjten (25 gusht).

“Besoj se mësimdhënësit e kanë vetëdijen mbi rëndësinë e procesit mësimor. Ata e dinë më së miri. Në të njëjtën kohë, edhe mësimdhënësit duhet të mirëinformohen. Dua t’ua rikujtoj se me draftligjin për paga, ka rritje prej 15 për qind të pagës, që është substanciale më e madhe se në institucionet e tjera”, tha ai.

Sipas tij, 100-euroshi i kërkuar nga mësimdhënësit ka arsye mbi logjikën e kërkesës, e kjo siç tha ai, është e garantuar me kontratë kolektive.

“Mësimdhënësit do ta marrin atë shtesë, të kthyer në mënyrë retroaktive nëpërmjet gjykate. Ky do të duhej të ishte insistimi i sindikatave. Ligji i Punës na thërret për rritje të pagave me rritje proporcionale me rritje të inflacionit. Ky nuk është problem i tanishëm. Në gjykimin tim, më e arsyeshmja do të ishte një insistim sindikal në legjislacion, sesa kërkesa të tjera”, shtoi ai.

Qehaja i EdGuard shtoi mësimdhënësit meritojnë një pagë të dinjitetshme.

“Nuk është faji i mësimdhënësve që ka mësimdhënës jo të mirë. Është faji i Qeverisë që dikur nuk e ka vlerësuar askush askënd. Një logjikë e shendosh na thotë që një vlerësim i performancës së mësimdhënësve do të na sillte në një mësimdhënës më të mirë”, tha ai.

Sipas Qehajës, mësimdhënësit e kanë kundërshtuar testimin si vlerësim, por jo edhe format e tjera.

“Testi PISA është vlerësim i jashtëm. Matësi më real i mësimdhënësve janë nxënësit dhe tregu i punës, se sa të ngecur jemi ne me fuqinë punëtore. Kalueshmëria e ulët në test të Maturës. Nuk ka një formulë që të na gjykojë se ku është problemi, pasi kjo gjykohet nga kushdo. Të gjithë e dimë se nuk ka cilësi në arsim, por vazhdon të jetohet një iluzion, që të akumulohet si problem”.

Qehaja potencoi se paralajmërimet e vazhdueshme për greva nxisin debate dhe shpërqendrim nga temat e tjera rreth arsimit.