Në vazhdën e aktiviteteve humanitare, në mbështetje të familjeve skamnore dhe fëmijëve bonjakë, shoqata humanitare “Qatar Charity–Kosova” ka shpërndarë në qytetin e Mitrovicës, të martën, nga 5 metra dru për 60 familje skamnore, ku të përfshira në këto ndihma ishin nga një pako me ushqim në vlerë prej 50 euro, një jorgan dhe një pako tjetër me veshmbathje e cila arrin shumë prej 80 euro.
Gjatë shpërndarjes së ndihmave, përveç përfaqësueseve të organizatës “Qatar Charity-Kosova”, morën pjesë edhe zyrtarë komunalë.
Në fjalën e tij menaxheri i projektit Esam Dabab, theksoi se pa një bashkëpunim si ky me Komunën e Mitrovicës gjërat nuk kishin shkuar kështu.
Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, i cili një falënderim të veçantë dha për organizatorët e këtij projekti, sidomos në këto ditë që pati vërshime. Ai po ashtu ka folur për ndihmat e vazhdueshme që kjo organizatë po jep për familjet skamnore në Mitrovicë, me ç’rast më pas theksoi se ndihmat e tilla po zbusin gjendjen e rëndë sociale në të cilën ndodhen këto familje, dhe “jam i sigurt që japin një shtytje për një mirëqenie më të mirë për ta”.
Vlen të theksohet se vlera totale e këtij projekti në qytetin e Mitrovicës arrin shumën rreth 24 mijë euro, ndërsa ndihma për familje ka shkuar në rreth 400 euro.