Rusia ka të drejtë të njohë si të pavarura republikat e vetëshpallura në Donbas të Ukrainës, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, ka përsëritur të premten presidenti rus, Vladimir Putin, duke e marrë sërish për shembull “të vënies së precedentit” rastin e Kosovës.
“Kur Kosova e shpalli pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nën presion të shteteve të perëndimit, vendosi që nën Kartën e OKB-së, kur shteti shpall pavarësinë, nuk është e domosdoshme të kërkojë leje nga qeveria qendrore. Precedenti u vu”, ka thënë Putin, raporton “RTV”.
Ai ka thënë se kjo nënkupton që dy republikat në Donbas, Luhansku dhe Donetsku, s’kanë nevojë ta pyesin Kievin për leje. Këto dy republika shpallën pavarësinë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
“Ato shpallën pavarësinë. A kemi të drejtë t’i njohim? Sigurisht që po”, ka thënë Putin në “Forumin Ekonomik Ndërkombëtar” në St. Petersburg duke përsëritur deklaratat që pati dhënë disa ditë pasi Rusia njohu si të pavarura dy republikat në Ukrainë.
Putini po ashtu theksoi se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, “Perëndimi iu kthye ndarjes së Kosovës nga Serbia”.
Sipas tij, vendet perëndimore nisën luftëra në shkallë të gjerë, duke përfshirë Irakun, Libinë e Afganistan.
“Por puna është se situata të tilla u zhvilluan siç donin ata, dhe jo siç do të duhej. Në shumë raste, le të themi për shembull në Jugosllavi – shteti u copëtua. Pas BRSS-së dolën vende tjera dhe interesa të reja shpërthyen. Kishte kontradikta të brendshme dhe ata i nxitën. Pastaj filluan ta shkëpusin Kosovën nga Serbia. S’është e qartë pse”, ka thënë Putin.
Duke folur për kapacitetet ushtarake ruse, Putini ka thënë se “Rusia nuk e kërcënon askënd me armë bërthamore”, por se ua ka bërë të qartë të tjerëve se “do t’i përdorë në rast nevoje, për ta mbrojtur veten”.