Deputetë të Kuvendit janë shfaqur të painformuar lidhur me kërkesat që emisarët euro-perëndimorë ia kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti, gjatë vizitës së fundit në Prishtinë. Derisa nga partia në pushtet thonë se pas sulmit terrorist në Banjskë duhet të ndryshojë edhe qasja e emisarëve në dialog, ata të opozitës e kanë kritikuar Kurtin për mungesë qëndrimi rreth planit për të cilin foli të shtunën ndërmjetësi i BE-së.
Tri seanca brenda kësaj jave do t’i mbajë Kuvendi i Kosovës, mes tyre edhe një me debat lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit si vazhdimësi e mbështetjes që Kosovës ia dha javën e shkuar Parlamenti Evropian. Kështu ka vendosur të hënën Kryesia e Kuvendit, pas së cilës përfaqësues të partive politike janë deklaruar rreth planit të emisarëve euro-perëndimorë të cilin e prezantuan në Prishtinë e Beograd, të shtunën.
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka cilësuar të rëndë deklaratën e emisarit Miroslav Lajçak, se dialogu nuk ka ndryshuar as pas 24 shtatorit, kur ndodhi sulmi në Banjskë.
“Por shumëçka ka ndryshuar dhe nuk mund të vazhdohet me trajtimin e njëjtë. Kosova gjithmonë ka qenë konstruktive në dialog përfshirë obligimet për marrëveshjet paraprake. Serbia në anën tjetër ka qenë në përgatitje të një sulmi të armatosur në instancat më të larta. Ky sulm ka pasur për qëllim përmasa më të mëdha se ajo që ndodhi më 24 shtator. Pas sulmit është një kthesë e rëndësishme dhe kërkojmë llogari ndaj atyre që kanë qenë të angazhuar në sulm. Duhet edhe rikonfigurim i procesit”, tha Kusari-Lila.
Përfaqësues të opozitës i kanë fajësuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mungesë qartësie sa i përket kërkesës së ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kryeministri ia ka pasur borxh të gjithë qytetarëve me mbajt një konferencë dhe me dhanë sqarime. Nuk ka një qëndrim të qartë. Duhet ta dinë se ku qëndron kryeministri dhe vendi jonë karshi këtyre kërkesave, ai është titullar dhe është me rëndësi ta dijmë pozicionin e tij. Kërkojmë që ai të ketë koordinim me aleatët ndërkombëtare. Duhet bashkëpunim i hapur me ta edhe për këtë çështje, edhe për sensibilizimin e botës pas sulmit në Banjskë. Por nuk pati asnjë vizitë të përfaqësuesve tanë nëpër botë për me i bind se çka ka ndodh në vendin tonë. Ne jemi të bindur, kemi nevojë qeverinë tonë me e pa në ofensivë diplomatike për ta treguar fytyrën e vërtetë të Vuçiqit”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Rrugën e integrimit të Kosovës në BE nuk mundet me e ndal Lajçaku, kjo rrugë është rrugëtim dhe përcaktim i yni. Kosova duhet t’i realizojë obligimet që i ka marrë pa i dëmtuar interesat e vendit. Në këtë drejtim, si AAK i konsiderojmë dy veprime që Kosova duhet t’i bëjë. E para, në çfarëdo rrethane të mos shkelet kushtetuta. E dyta, duhet bashkërendim me faktorin ndërkombëtar pasi kthimi i Kosovës mbrapa është dëmtim i skajshëm i interesave të vendit”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Pavarësisht dakordimit për mbajtjen e tri seancave, opozita nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i përket votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat do të jenë në rend dite. Derisa në PDK thanë se kjo qeveri nuk po i sjell kurrfarë dobie vendit me fondet e huaja, AAK-ja e ka kushtëzuar votimin me ndryshimin e Ligjit për koeficientet e pagave.