Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Pushteti i do mediat, por në kafaz”, PSD-ja aksion kundër Qeverisë

Partia Socialdemokrate të enjten ka mbajtur një aksion para Qeverisë, duke e akuzuar pushtetin se po do t’i mbyllë mediat.

Në një kafaz të zogjve, aktivistët e PSD-së kanë vendosur një letër me mbishkrimin “press”, në shqip “mediat”.

Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti po i do mediat e mbyllura, duke aluduar në pezullimin e certifikatës së biznesit të “KlanKosovës” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Kurti i do mediat e mbyllura, të kufizuara, të disiplinuara, të varura dhe pa imagjinatë. Jo vetëm pa kritikë, por edhe pa sens për kritikë. T’i këpusim shqisat. Kafazi është hapësira që ua ka nda. Sulmi ndaj mediave është me paramendim. Caku që pushteti aktual ka vënë merr me vete krejt çka i del përpara, deri në mbërritje. Të paktën këtë e dëshiron. E kësaj nuk i shpëtojnë dot as mediat, siç nuk i shpëtuan as mësimdhënësit, as sindikatat, as tregimi për UÇK-në. E gjithë shoqëria është në shënjestër. Një vetëdije e re po tentohet të mbjellët, dhe kjo përmes falsifikimeve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së.

Gjykata Komerciale sot vendosi ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të “KlanKosovës”.