Nebojsha Radosheviq, punëtor i Agjencisë Shtetërore Serbe të lajmeve, Tanjug, po dëshmon në Dhomat e Specializuara në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Radosheviqi tha se gjatë ndalimit të tij nga pjesëtarët e UÇK-së nuk i është dhënë asnjë dokument. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të ZPS-së Andrew Boyle, ai tha se nuk u gjykuan porse një prej rojeve të vendit ku ishte i ndaluar që sipas tij e quanin “studenti” i tha se ai dhe Dobriçiqi ishte dënuar me 60 ditë burgim, pasi kishin hyrë ilegalisht në Kosovë dhe pasi nuk kishin mbajtur shenjë identifikuese të shtypit në veturën e tyre.
“A keni pasur avokat”, e pyeti prokurori Boyle. Dëshmitari i propozuar nga ZPS-ja u përgjigj se s'kishin pasur avokat.
“Nuk kemi pasur mundësi të kontaktojmë me askënd. Ishin rojet që na sillnin ushqim, ujë, cigare dhe na shoqëronin jashtë për të kryer nevojat”, tha Radosheviq.
Dëshmitari tha se nuk kishte kërkuar avokat, porse e kishte kërkuar vendimin në formë të shkruar pasi iu tha që ishte dënuar. Sipas tij përgjigja e pjesëtarit të UÇK-së që e quanin “studenti” pasi ia bëri këtë kërkesë ishte se nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë meqë ishte gjendje lufte dhe se mezi po i siguronin ushqimet.
Radosheviq ishte ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së bashkë me kolegun e tij, Vladimir Dobriçiq në vitin 1998 e më pas ishin liruar me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka prezantuar të hënën atë si gazetar që nga 1996-a, ndërsa Dobriçiqin si fotograf.
Ata ishin liruar për festen e flamurit kombëtar më 1998. Ndalimi i tij ishte temë diskutimi edhe në seancat ku dëshmoi hulumtuesi i Human Right Whatch, Fredrick Abrahams.