Gazetari i agjencisë serbe Tanjug, Nebojsha Radosheviq, ka dëshmuar në rastin kundër Hashim Thaçit e të tjerëve, por nuk shprehu ndonjë kritikë lidhur me trajtimin për gjatë kohës sa u mbajt nga UÇK-ja. Bashkë me të u ndalua edhe kolegu i tij fotograf, Vladimir Dobriçiq, për të cilin dëshmitari tha se i është dukur person i dyshimtë.
Nebojsha Radosheviq, gazetar i agjencisë së lajmeve Tanjug, në kohën e luftës në Kosovë, ka dëshmuar të hënën, në Dhomat e Specializuara në rastin e udhëheqësve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.
Radosheviq u ndalua nga pjesëtarët e UÇK-së më 1998 bashkë me kolegun e tij, Vladimir Dobriçiq, e më pas u liruan pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare.
Në pyetjet e prokurorit Andrew Boyle, ai tha se nuk u gjykuan dhe se nuk u ishte dhënë ndonjë vendim apo njoftim se mund të flisnin me avokat.
Prokuror i ZPS-së Andrew Boyle e ka pyetur se a kishte avokat.
“Nuk kemi pasur mundësi të kontaktojmë me askënd. Ishin rojat që na sillnin ushqim, ujë, cigare dhe na shoqëronin jashtë për të kryer nevojat”, ka theksuar Radosheviq.
Sipas tij, një pjesëtar i UÇK-së me nofkën “Studenti” i tregoi se ai dhe Dobriçiqi ishin dënuar me 60 ditë burgim, pasi kanë hyrë ilegalisht në territor të kontrolluar nga UÇK-ja.
“E kërkova vendimin që në ditën e 14 apo 15-të, por nuk e kam marrë një gjë të tillë…Na tregoi se ishim dënuar me 60 ditë burg. Unë kërkova dokumentin e këtij dokumentin e këtij vendimi, por nuk më dha gjë”, ka theksuar ai.
Në pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, dëshmitari u përgjigj se nuk ishte takuar me figura politike dhe se nuk është marrë me spiunazh për llogari të Serbisë. Po ashtu, tha se nuk e ka ditur se Dobriçiqi i ka shërbyer shtetit serb në luftëra të ndryshme në ish-Jugosllavi.
“A e ka përmendur ndonjëherë Dobriçiqi veprimtarinë e tij në Kroaci, përfshirjen në shitblerje armësh në Bosnjë-Hercegovinë, në vrasjet në Kosovë, në Krajinën Serbe të Kroacisë apo çfarë do të tillë?”, ka pyetur Kehoe.
“Jo pra ju thashë, dukej si person i dyshimtë. M’u duk si person i dyshimtë dhe nuk më pëlqente”, është përgjigjur Radosheviq.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka prezantuar të hënën atë si gazetar që nga vitit 1996, ndërsa Dobriçiqin si fotograf. Radosheviq e ka konfirmuar se pas luftës ka vazhduar të punojë në media të financuara nga Serbia, përfshirë edhe në KosovoOnline. Dëshmia e tij pritet të vazhdojë të martën me pyetjet e tjera të avokatëve të udhëheqësve të UÇK-së.