Të enjten po vijon seanca gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Para trupit gjykues po dëshmon serb Dragan Ivanisheviq, i propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Ai është dëshmitari i 34-të.
Prokurori i ZPS-së, Andreë Boyle, e ka lexuar një përmbledhje ku ka thënë se dëshmitari Ivanisheviq është ndaluar bashkë me policin Velko Markoviq prej pjesëtarëve të UÇK-së.
“Dëshmitari Dragan Ivanisheviq po vinte në shtëpi me veturë në mbrëmjen e 9 shkurtit 99’ kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniforma të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një veturë ‘Lada’ të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin e Velko Markoviqit. Dëshmitari e pa Markoviqin në atë ditë, disa herë, edhe kur i mbajtën mbrapa në bashkë në bagazh duke i çuar nga një vend tek tjetri. Gjatë kësaj kohe z. Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjera se ishte polic, porse do tu thonte kidnapuesve se punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapnin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviqi vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja. Pasi iku dëshmitari mësoi nga të tjerët, përfshirë edhe nga familja e z. Markoviq se Markoviqi ishte parë për herë të fundit po atë ditë që dëshmitari ishte rrëmbyer duke vozitur një veturë Lada të bardhë. Ai mësoi se z. Markoviq punoi polic në hekurudhë, i njëjti informacion që i kishte thënë vetë z. Markoviq kur i mbanin në bagazhin e një makine Lada”, tha Boyle.
Të mërkurën e ka përfunduar dëshminë ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.
Për tri ditë rresht, në dëshminë e tij Dedaj i ka hedhur poshtë deklarimet e tij të mëparshme mbi pretendimet se ishte keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së në fshatin Qirez, gjatë viti 1998.