Dëshmitari Nebojsha Radosheviq e ka përmbyllur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se kushëriri i tij, Dushan Samarxhiqin, që ka mbajtur pozitën e komandantit të Armatës së Tretë Jugosllave deri në nëntor të 1998-tës, i ka treguar se Hashim Thaçi nuk kishte lejuar lirimin e mëhershëm të tij. Para trupit gjykues, ai tha se komandanti ushtarak kishte dëshmi përgjim për këtë.
Dëshmitari i 28-të në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, gjatë luftës ka qenë punonjës i agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, dhe tha se për 40 ditë është mbajtur në tri qendra të ndryshme ndalimi, meqë kishte hyrë në zonë të kontrolluar nga guerilja pa leje paraprake.
Para trupit gjykues në Hagë, Nebojsha Radosheviq tha se kushëriri i tij, Dushan Samarxhiqin, që ka mbajtur pozitën e komandantit të Armatës së Tretë Jugosllave deri në nëntor të 1998-tës, i ka treguar se Hashim Thaçi nuk kishte lejuar lirimin e mëhershëm të tij.
Sipas dëshmitarit, Samarxhiqi i ka thënë se në një përgjim dëgjohet Adem Demaçi tek i kërkon Thaçit për ta liruar atë dhe kolegun e tij, Vlladimir Dobriçiqin, shkaku i presionit mediatik, porse, sipas dëshmisë, Thaçi i ishte kundërpërgjigjur duke i thënë se do të lirohen kur të thotë ai dhe jo Demaçi.
E ndonëse ishte korrespondent i Tanjugut në Kosovë, Radosheviq tha se për Thaçin nuk kishte dëgjuar as para dhe as gjatë kohës sa ishte i ndaluar.
“Në intervistën tuaj në faqen 1488 ju thoni për Thaçin se, mësova vetëm kur u lirova se kishte një fletarrest për të. Hashim Thaçi njihej si gjarpri. Pra ju dëgjuat ose mësuat për Thaçin vetëm kur doli ky fletarrest. A e kam kuptuar drejt radhën e ngjarjeve”, tha avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.
“Po... Kjo është hera e parë që dëgjova për Thaçin”, tha dëshmitari Radosheviq.
Dëshmitari Radosheviq tha se trajtimi nga pjesëtarët e UÇK-së ka qenë i mirë në përgjithësi.
“Njëri vendosi dorën në pistoletë, njëri vendosi dorën në thikë, e filluan të shanin dhe po vinin në drejtimin tim... Kiçon e shkelmuan disa herë, por mua nuk më preku njeri me dorë, se nuk patën kohë dhe se i zgjidhëm gjërat... Patëm këtë incident kur më vendosën tytën e armës në gojë, pastaj ishte një person tjetër me thikë, mund t’i themi incident i mundshëm, por pjesa më e madhe e sjelljes ishte korrekte”, tha Radosheviq.
Dëshmitari e konfirmoi se nuk kishte marrë leje nga zyra politike e UÇK-së në Prishtinë për të hyrë në territor të UÇK-së. Radosheviqi e Dobriçiqi u mbajtën 40 ditë nga pjesëtarë të UÇK-së dhe u liruan më pas me kërkesë të ndërkombëtarëve.