Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë kërkojnë hapjen e dritareve

Kryetari i Sindikatës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Burim Neziri, ka thënë se protestat lidhur me kushtet e punës nuk kanë filluar sot, por që nga hapja e objektit në vitin 2014.

Ai ka thënë se kanë nisur protesta pas shqetësimeve të vazhdueshme lidhur me kushtet e punës.

Sipas tij, po ballafaqohen me mungesë oksigjeni, mosfunksionim të klimave dhe mungesë të ujit të pijshëm.

Neziri ka thënë se struktura e objektit është e paraparë të mos ketë dritare, por mungesa e klimave ka bërë që të mos ketë oksigjen.

“Pas intervenimeve mjekësore që janë bërë te personat që kanë pasur probleme shëndetësore, kanë dhënë rezultatet që ka mungesë të oksigjenit. Ne kemi kërkuar që të paktën të hapen dritaret nëse nuk funksionojnë klimat. Dritaret janë e vetmja zgjidhje për momentin që të ketë furnizim të mjaftueshëm me ajër. Kërkesat tona i kemi drejtuar te organet përgjegjëse në vazhdimësi, por kanë hasur në vesh të shurdhër. Ne nuk e kemi ndalur punën deri tash. Të gjithë kanë probleme me mungesë të ajrit dhe jo vetëm ata që janë në moshë më të shtyrë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se kanë kërkuar që nga viti 2014 që të përmirësohen kushtet.

Ka thënë se kanë informata që është hapur një tender për hapjen e dritareve.

Sipas tij, problemet shëndetësore te stafi po paraqiten pas një kohë që punonjësit rrinë aty.

Laureat Ulaj zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka thënë se objekti C përballet me gjendjen e rënduar të funksionimit të oksigjenit.

Ajo ka thënë se në saje të vazhdimësisë së këtyre problemeve kanë protestuar punëtorët e këtij objekti.

Ulaj ka thënë se kryeprokurorit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë kohës sa ka qenë në punë.

Sipas saj, konstatimet e para nga ekipi mjekësor kanë qenë se është shkaktuar sulmi kardiak si mungesë e ajrit, por ekzaminimet janë duke u bërë.

“Është rënduar situata gjatë muajve të verës. Përpos këtyre personave kanë pësuar edhe punonjës të tjerë të kësaj prokurorie. Ne kemi informacione që ka filluar një hetim por duhet të jemi të rezervuar në këtë aspekt. Vazhdimisht kemi dorëzuar ankesa dhe kërkesa por kanë hasur në vesh të shurdhër. Çdo gjë i ka kaluar kompetencat tona. Ne kemi marrë mbështetje nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Janë ndarë fonde për realizimin e këtij procesi, por fatkeqësisht këto mjete nuk janë përdorur dhe në fund të vitit janë alokuar”, ka thënë ajo.

Artikuj të ngjashëm