Po vazhdon protesta para Pallatit të Drejtësisë për temperaturat e larta brenda në objekt.
Protestuesit thonë se klimatizimi në objekt nuk po funksionon dhe thonë se shkaku i gjendjes së rëndë një prokuror ka pësuar edhe sulm në tru.
“Ne qe tri ditë kemi filluar me këtë protestë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës. Ne në këtë situatë vere, në këtë të nxehtë, po ballafaqohemi me shumë probleme, kryesisht me ajrosjen. Ajri nuk është i mjaftueshëm, nuk ka ventilim të mjaftueshëm, pothuajse nuk është funksional, është një problem tjetër klimatizimi. Temperaturat në dhomë shkojnë deri 35 gradë, sipas regjistrimeve që janë bërë nga aparatët në zyrë. Është një temperaturë që po na shkakton përkeqësim shëndetësorë të stafit, duke përfshirë edhe prokurorë e zyrtarë”, ka thënë Neziraj në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.
Ai shtoi se mbi dhjetë punonjës të stafit janë alivanosur dhe kanë humbur ndjenjat shkaku i hipertensionit. Thotë se është dashur të kërkohet ndihmë urgjente mjekësore.
“Problemi i ventilimit dhe ajrimit, përkundër kërkesave nga institucioni jonë, drejtuar institucionit përgjegjës, në këtë rast Ministrisë së Punës së Brendshme, është kërku që të sanohen këto defekte, nuk janë ndërmarrë veprime konkrete. Këshilli Prokurorial i ka nda mjetet qysh vitin e kaluar, që të hapen procedurat e tenderimit, por nuk është ndërmarrë një veprim i tillë”, shtoi tutje ai.
I njëjti theksoi se kjo mungesë e kushteve po krijon probleme të shumta në mbarëvajtjen e punës.
Edhe
MPB-së i kërkohet të marrë masa për rregullimin e klimës në Pallatin e Drejtësisë
“Tash ka ardhur koha kur pothuajse gjendja shëndetësore e njerëzve ka fillu me reflektu, mungesa e oksigjenit nuk i shkakton pasojat aty për aty”, theksoi Neziraj.
Sipas tij, alivanosjet e punëtorëve deri tek sulmet në tru, janë indikacione që kërkesat e kahershme drejtuar institucioneve përgjegjëse nuk janë realizuar.