Arbëri

Reduktohen aktivitetet e punës në Prokurorinë e Prishtinës, shkak mosfunksionimi i ventilimit

Punonjësit e Prokurorisë së Prishtinës dolën në protestë për shkak të mungesës së ajrit në objekt, në Pallatin e Drejtësisë.

29 gradë është temperatura në ambientet e kësaj prokurorie, që u krijua si pasojë e mosfunksionimit të ventilimit në Pallatin e Drejtësisë.

Kjo ka qenë arsyeja që prej të hënës aktivitetet e punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, janë reduktuar.

Sipas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, deri në arritjen e një zgjidhjeje vetëm punët emergjente do të realizohen.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Prokurorisë, Burim Neziri, ka thënë se si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit janë shfaqur probleme shëndetësore te prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

“Sidomos gjatë periudhës së verës deri më tani, pothuajse 20 vetë kemi pasur probleme shëndetësore, si marramendje, vjedhje, diarre, për të cilat është dashur të ndërhyhet nga institucionet relevante, kryesisht ndihma e shpejtë e QKUK-së. Këto probleme janë manifestuar si shkak i mungesës së oksigjenit të mjaftueshëm në institucion, po ashtu edhe të mungesës së klimatizimt, ujit, kushteve të tjera”, tha Neziri.

Javëve të fundit është raportuar se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pasur një atak në rrugët e frymëmarrjes, e sipas këtij institucioni kjo ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të ajrosjes.

Neziri i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të nisin punimet për hapjen e dritareve në këtë objekt, të cilat janë të mbyllura hermetikisht.

Në Ministri kanë thënë për KOHËN se kanë angazhuar një kompani që do të merret me hapjen e dritareve, por pa dhënë detaje të tjera.

Në një ekspertizë profesionale të autorizuar nga Prokuroria para 7 vjetësh është konstatuar se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.


 

Image