Kosova konsiderohet si shteti me ligjet më të mira sa i përket efiçiencës së energjisë në krahasim me të gjitha vendet e rajonit, por respektimi i tyre lë shumë për të dëshiruar, raporton KTV.
Në “Javën e Diplomacisë Klimatike 2017”, u tha se 70 për qind e konsumit të energjisë vjen nga amvisëritë, andaj ekzistojnë potenciale mjaft të mëdha për kursime, sidomos në sektorin e banimit.
Masa për efiçiencë të energjisë nuk janë vërejtur as në ndërtesat e reja të banimit.
“Përmirësimi i performancës dhe kursimet do të ishin të mundura deri në 70% në sektorin e banimit dhe rreth 30% në sektorin e shërbimeve.
Duke i llogaritur të gjitha së bashku, kemi arritur në përfundim se në Ballkanin Perëndimor, miratimi i politikave të duhura mund të jetë rreth 100-800 milionë euro kursime. Edhe te ndërtimet e reja nuk kemi parë që po bëhen investime në efiçiencën e energjisë, e cila është në fund të prioriteteve”.
Edhe pse në komuna po bëhen plane për investime në vend, janë një numër sfidash që po e bëjnë të pamundur arritjen e caqeve.
Të pranishmit kërkuan një fokusim të shtuar dhe serioz të qeverisë së ardhshme për të ndërmarrë masa në uljen e shpenzimit të energjisë, duke bërë investime dhe duke e funksionalizuar fondin për mbështetjen e efiçiencës.