Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestuesit kërkuan shkarkimin e Lumezit dhe dorëheqjen e Haradinajt

19:06 - Shumë qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”, gjatë së cilës pati kërkesa për largimin e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, derisa pati edhe porosi për kryeministrin Ramush Haradinaj të cilit ia kërkuan dorëheqjen.

Organizatorët thanë se nuk ia kanë për borxh askujt përbuzjen, ofendimet, hajnitë e kërcënimet që po vijnë nga skena politike, duke përkujtuar se gjatë luftës në Kosovë në Prishtinë nuk është pirë makiato sikurse ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes nën presionin e organizatave të shoqërisë civile, ndërsa ka mohuar të ketë pasur presion mbi ish-prokurorin Elez Blakaj që dha dorëheqje kohë më parë për shkak të siç thuhet kërcënimeve dhe shantazheve ndaj tij. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur ish-prokurorin Blakaj ‘hajn të pulave’ dhe ‘pishpirik’, duke thënë për më tepër se rasti Blakaj po rrezikon marrjen e liberalizimit ë vizave për Kosovën.

Këtyre deklaratave, protestuesit iu përgjigjën me parullat “Lumez Ik”, “Pishpirik je vet” dhe “Boll Ma”.


18:24 - “Boll Ma” ka qenë parulla e protestuesve që po e kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, por edhe përgjigje për deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, që ditë më parë deklaroi se nuk mundet t’i akuzojnë veteranët dikush që në kohën e luftës ka qenë në kampet e refugjatëve.


Nis protesta për shkarkimin e Lumezit

18:14 - Ka nisur protesta për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në protestë po marrin pjesë shumë qytetarë të cilët janë nisur nga shesh “Zahir Pajaziti” drejt zyrës së kryeprokurorit.

Protestuesit po brohorasin "Lumez, ik" dhe "Pishpirik je vet" duke iu drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, që ashtu e kishte quajtur prokurorin Elez Blakaj, tashmë të dorëhequr.


Gjithçka gati për protestën kundër ndërhyrjes së politikës në drejtësi

Qytetarë të shumtë janë grumbulluar në sheshin “Zahir Pajaziti” për protestën kundër ndërhyrjes së politikës në sistemin e drejtësisë.

Marshi nis në orën 18:00 dhe protestuesit do të drejtohen drejt Zyrës së Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi dhe më pas drejt Zyrës së Kryeministrit.

Kjo protestë vjen pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj dhe letrës së tij ku kishte treguar presionin politik për të mos vazhduar me lëndën ndaj veteranëve të rremë dhe për aferën “Pronto”.

Protestuesit kanë përgatitur pllakate në të cilat shkruan "Lumez, Ec", "Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur", "A vodhën pula 1 milion refugjatë" e po ashtu edhe fotografia e Agim Çekut e ku shkruan “Nga Hero në Zero”.

{gallery}

Artikuj të ngjashëm