Shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, veting për sistemin e gjyqësorit dhe pastrimi i listave të veteranëve, kanë qenë tri kërkesat e protestës të së mërkurës në Prishtinë.
Edhe në protestën e sotme, protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: “Lumez Ik”, “Pishpirik je vet”, “Veting gjyqësorit”, “Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur”, e tjera.
Protestuesit me thirrje për veting e shkarkim të Lumezit, kanë marshuar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, tek ndërtesa e kryeprokurorisë, e më pastaj tek ndërtesa e Qeverisë prej nga kanë dhënë mesazhin se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Publicisti Shkëlzen Gashi theksoi se shkarkimi i Aleksandër Lumezit duhet të bëhet për shumë arsye, por tri janë kryesore.
Ai ka thënë se bisedat telefonike në aferën “Pronto” mes Kadri Veselit e Adem Grabovcit, të cilët diskutojnë se si Lumezi nuk bën të anëtarësohet në PDK, e me qenë kandidat për kryetar të Prishtinës, tregon se Aleksandër Lumëzi është i korruptuar, e i shantazhuar në kryeprokurori.
“Arsyeja e parë është se Aleksandër Lumezi është caktuar në pozitën e kryeprokurorit nga politika, në fakt nga parapolitika, nga ‘Prontoja’. Arsyeja e dytë është ndërhyrja e kryeprokurorit Lumezi në punën e prokurorit Blakaj, se pse ia ka intervistuar shefin Kadri Veselin. Madje prokurori Blakaj e ka intervistuar shefin e Lumezit vetëm si dëshmitar. Paramendojeni çka kish me ndodh nëse Elez Blakaj do ta intervistonte Kadri Veselin si të akuzuar. Kërkesa jonë e dytë është veting për sistemin gjyqësor në Kosovë, që do të thotë rishqyrtim të vendimeve të deritanishme të personave kryesorë në sistemin gjyqësor dhe verifikim të pasurisë të personave kryesorë të sistemit gjyqësor, pra të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkesa jonë e tretë është pastrimi i listave prej mijëra veteranëve të rrejshëm e mashtrues, që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës me miliona euro”, tha Gashi derisa ka kërkuar ngritjen e aktakuzës për tërë komisionin për verifikimin e statusit të veteranit.
Akuza të ashpra ka pasur edhe ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilin e ka quajtur kriminel me tru në muskuj.
Gashi theksoi se janë mbledhur sot për t’iu treguar këtyre politikanëve se nuk do të lejojnë t’ua gërditin edhe me shumë Kosovën.
“Çka me prit prej një kryeministri që mendon se vetëm ata që kanë luftuar me armë në dorë janë patriotë, ky është një kryeministër primitiv, një kryeministër me tru në muskuj. Po ashtu çka me prit prej një presidenti që pa u konsultuar me institucionet tjera, me partitë politike, e sidomos me qytetarët, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit e diskuton tërësinë territoriale të Kosovës. Gjatë viteve 90-ta, na kanë udhëhequr dy personalitete Ibrahim Rugova e Adem Demaçi, për të cilët mund të kemi vërejtje e mospajtime, por ama bota i ka vlerësuar si personalitete të jashtëzakonshme, për çka i ka nderuar me çmimin më prestigjioz në Evropë, Sakharov, për liri të mendimit e të veprimit. E, sot na udhëheqin persona, jo personalitete, por persona që bota i vlerëson si kriminelë të jashtëzakonshëm për të cilët edhe e ka krijuar Gjykatën Speciale”, u shpreh Gashi.
Gashi tha se duhet të kërkojnë edhe dorëheqjen e krerëve institucionalë dhe zgjedhje të reja.
Ndërsa, aktivistja për të drejtat e grave, Igballe Rogova, tha se do të jenë në rrugë deri në zbatimin e kërkesave të tyre. Ajo i ka quajtur të pafytyrë politikanët, të cilët po dalin publikisht dhe po tregojnë se po i përziejnë punët në drejtësi.
“Para dy viteve zgjodhën njeriun që t’iu lajë të palarat, e ky njeri, për të cilin kemi dalë me kërkesën të shkarkohet, ky njeri në vend se të dëshmojë se drejtësia funksionon në Kosovë, ky njeri kritikon për jo profesionalizëm prokurorin që bëri punën si duhet. Ky kryeministër nuk ndalet me kaq jo, na tregon politika qysh i futë hundët në drejtësi. Kryeministri i thotë hajn, kush more është hajn, hajn po thotë është prokurori që mbron paranë publike. Jo more nuk është hajn. Pastaj ky tjetri që po shitet politikan modern Veseli, e quan prokurorin frikacak, po ky prokuror guxoi të flasë po farë frikacaku”, theksoi Rogova.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, duke e quajtur odë burrash Qeverinë e Kosovës, tha se ekzekutivi bëri me shumë se 20 ministri e mbi njëqind zëvendësministra që të rehatojë militantët e vet.
Kritika e akuza pati edhe ndaj, siç e ka quajtur ajo, Sulltanit, Hashim Thaçi, për të cilin theksoi se nuk mjafton vetëm kërkimfalja, por duhet të japë dorëheqje, pasi me gratë e Gjakovës foli përmes Facebookut, duke kërkuar tolerancë.
Krejt në fund, aktivisti Rron Gjinovci, improvizoi Kuvendin me qytetarët, duke iu kërkuar që ta miratojnë kërkesën që të mërkurën e javës së ardhshme të mbahet protesta tjetër. Me ngritje dore, protestuesit miratuan që edhe javën tjetër të kërkohet dorëheqja e Lumezit dhe Veting për gjyqësorin, raporton KosovaPress.
Protestuesit dëgjojnë storien e KTV-së që shpërfaqi lidhjet e Lumezit me PDK-në
Në protestë, përveç thirrjeve kundër Lumezit e presidentit Thaçi, është lëshuar edhe një storie e KTV-së ku zbulohen bisedat mes zyrtarëve të PDK-së dhe kryeprokurorit të shtetit.
Këtu mund ta gjeni storien e plotë.
Nis protesta kundër Lumezit
Organizatorët e protestës që po kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, e kanë shpallur të hapur protestën.
Qytetarë të shumtë, pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe aktivistë të partive opozitare, janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar tek ndërtesa e Kryeprokurorisë, kurse përfundon para ndërtesës së Qeverisë.
Edhe sot, sikurse javën e kaluar, protestuesit po mbajnë në duar pankarta me mbishkrimin, “Lumez Ik”, “Veting për gjyqësorin”, “Pishpirik je vetë”, e të tjera.
Veç shkarkimit të Lumezit, protestuesit po kërkojnë edhe nisjen e vettingut në sistemin e drejtësisë në vend.