Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestojnë bizneset e vogla, kërkojnë t’u lejohet përdorimi i frigoriferëve në kiosqe

Pjesëtarë nga Shoqata e Bizneseve të Vogla protestuan të hënën para objektit të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar që t’iu lejohet operimi i kiosqeve në kryeqytet.

Sadudin Hasani nga kjo Shoqatë tha se po i kërkojnë të drejtat e tyre, pasi Komuna ka marrë vendim t’ua largojë frigoriferët nga hapësirat pranë kiosqeeve, me arsyetimin se po pengojnë lëvizjen.

Ai deklaroi se frigoriferët janë bazë kryesore e të bërit biznes gjatë sezonit të verës, derisa shtoi se një rregull i tillë s’po vlen për marketet e mëdha që operojnë me shumë frigoriferë.

“Mendojmë se jemi të diskriminuar në raport me bizneset e tjera në Komunën e Prishtinës. Ka një vit e gjysmë që Komuna na i ka larguar të gjithë frigoriferët që janë baza kryesore e biznesit tonë gjatë verës dhe kemi bërë kërkesë për pajisje me leje, s'na ka pajisur. S’po kërkojmë lëmoshë, ne kërkojmë drejtësi. Nëse bizneset e mëdha i shfrytëzojnë deri në 200 metra katrorë, pse ne të mos i shfrytëzojmë deri në 10 metra katrorë. Komuna po na thotë se janë duke punuar për realizimin e projektit për vendosjen e kioskave”, deklaroi ai.

Hasani shtoi se që nga pandemia këto biznese të vogla po punojnë me humbje për shkak të moslejimit të përdorimit të frigoriferëve, ndërsa i bëri thirrje Komunës së Prishtinës që t’ua lejojë punën.

Ai tha se disa asamblistë që dikur i kanë përkrahur bizneset e vogla, tash që kanë marrë pushtetin lokal “s’po e bëjnë më këtë”.