Mijëra qytetarë kanë protestuar kundër Gjykatës Speciale, në protestën e organizuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë. Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në fjalimin e mbajtur në protestë ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë. Protestuesve u është drejtuar edhe Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit. Ajo ka theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Tromp ka deklaruar se gjykata, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme. Ndërkohë Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, ka thënë se populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, siç ka theksuar, me gjithë respektin që ka për ta. Ai ka thënë se Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Të gjitha zhvillimet rreth protestës do të mund t'i lexoni këtu
Edi Rama pyet Kuvendin e Kosovës pse s’ka bërë rezolutë për shkeljet e Speciales
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është dashur ta ngrejë zërin përmes një rezolutë në të cilën do të rreshtoheshin shkeljet e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!” – ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte rezolutën e vonuar, do të angazhohej menjëherë Kuvendi i Shqipërisë për ta votuar tekstin e njëjtë dhe për ta përcjellë zërin e shqiptarëve në çdo shtet që e sponsorizon Tribunalin.
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet. Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore”, ka shkruar Rama.
Spiropali: Protesta masive në Prishtinë zë i indinjatës së thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike
Kryekuvendarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka postuar foto të protestës në Prishtinë që u mbajt sot kundër Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa ka thënë se është “rikonfirmim i indinjatës së thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike”.
“Protesta masive në Prishtinë rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike, si dhe mbështetjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët, në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik e njerëzor, po mbahen të mbyllur në hapsanën e Hagës; një akt kundër të drejtës, kundër lirisë, në abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur e demokratik. Drejtësia nuk mund të përmbyset, viktimat nuk mund të shpallen agresorë dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima”, ka shkruar Spiropali në Facebook.
OVL-UÇK: Kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka falënderuar qytetarët e shumtë që dolën në protestën e të enjtes kundër Gjykatës Speciale.
“Jemi pa fjalë. Sot folët ju, qytetarë të zakonshëm me zemër të jashtëzakonshme. Faleminderit për madhështinë tuaj! Faleminderit edhe mediave që e bënë zërin tonë të padëgjuar të dëgjohet kudo. Në emër të Këshillit Organizues, përjetësisht: faleminderit! Kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”, thuhet në mesazhin e OVL-UÇK.
Mbyllet protesta kundër Speciales
Është mbyllur protesta kundër Gjykatës Speciale, që është organizuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë.
Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestë.
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në fjalimin e mbajtur në protestë ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë.
Protestuesve u është drejtuar edhe Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit.
Ajo ka theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Tromp ka deklaruar se gjykata, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme.
Ndërkohë Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, ka thënë se populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, siç ka theksuar, me gjithë respektin për ta. Ai ka thënë se Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës.
Ali Ahmeti: Populli shqiptar s’pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt me gjithë respektin për ta
Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, ka thënë se populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, siç ka theskuar, me gjithë respektin për ta. Ai ka thënë se Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës.
“UÇK ka bërë një luftë të drejtë. Luftë për liri. Luftë për çlirim nga pushtimi...Serbia me përkrahësit e saj ka bërë dhe po bën çdo gjë për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës, përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Po përpiqet të përmbysë çdo të arritur në Kosovë. Gjykata u formua si o formua, u votua si u votua nga deputetë e Kuvendit të Kosovës. Ishte si ishte. Edhe ashtu siç u krijua nuk po e respekton të drejtën për gjykim të paanshëm të drejtë e brenda aftit të arsyeshëm”, tha Ahmeti.
Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut që gjenden në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës së vitit 2013.
"Shpifjet se UÇK ka trafikuar organe, dështuan", tha Ahmeti. “...Populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt me gjithë respektin për ta”, tha Ahmeti.
Pas fjalimit të Ahmetit protesta u mbyll.
Ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës: Kosova nuk është kompromis, është shtet sovran
Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit, në hyrje të fjalimit të saj tha se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Ajo tha se gjykata, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme.
“Të njëjtit udhëheqës që janë të akuzuar janë ata që mbështetën krijimin e këtyre Dhomave. Ata kanë vepruar kështu edhe pse ditën rrezikun që përfaqësonte për çdo luftëtar. Sepse ata besonin në drejtësinë e kauzës, besonin që lufta që ata luftuan ishte një luftë e drejtë. Besonin se ishte një luftë e lejuar si e tillë nga Karta e Kombeve të Bashkuara. Ata luftuan dhe fituar”, tha Tromp.
Ajo ka thënë se ky tubim është për të thënë se “Kosova ka rëndësi”.
“Kosova mund të mos jetë përparësi për fuqitë globale, por për qytetarët e Kosovës kjo është personale”, tha Tromp.
Ajo tha se Kosova nuk është kompromis, por Kosova është shtet sovran.
“Një komb i njerëzve të guximshëm, të qëndrueshëm, demokratik, që vazhdojnë të besojnë në drejtësi edhe kur bota duket se po kthen shikimin tjetër kund”, tha Tromp.
Gucati: Specialja ka devijuar nga misioni, po e deformon historinë
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë.
“Nën petkun e drejtësisë, po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për lirinë, dinjitetin dhe ekzistencën njerëzore”, tha Gucati, në hapje të protestës.
Ai ka thënë se Specialja me veprat e njëanshme dhe me përzgjedhjet selektive të individëve vetëm nga njëra palë, po përpiqet ta përmbysë historinë në favor të Serbisë.
“Po tenton të krijojënarrativë të rrejshme, se Kosova është çliruar nga kriminalet. Ndërkohë e vërteta është krejt tjetër. UÇK-ja, bashkë me NATO-n me në krye Amerikën e çliroi Kosovën nga kriminelët e Beogradit. Sot Gjykata në Hagë po gjykon aleatët e NATO-s, Hashimin, Kadri Verselin, bacën Jakup, Rexhep Selimin, Calin e Pjetër Shalën”, ka thënë Gucati. “...Shteti i Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës janë tradhtuar. Besimi jonë është tradhtuar. S’kemi më besim. Boll testuat durimin tonë. Boll e njollosët luftën e gjakun tonë. S’ka gjykatë që mund t’i fshijë gjurmët e gjenocidit serb mbi popullsinë shqiptare. Me këto gjykime politike padrejtësia është edhe më e rrezikshme se lufta, po bëni krim. Çdo drejtësi e devijuar është krim”, tha Gucati.
Qytetarët gati për protestën kundër Gjykatës Speciale
Qytetarët janë mbledhur në sheshet e Prishtinës për protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të nisë në orën 17:00.
Protesta është organizuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata janë ankuar në këtë gjykatë, pasi, sipas tyre, po synon ta rishkruajë historinë. Protesta është mbështetur edhe nga personalitete që patën ndikim në themelimin e gjykatës.
Të mërkurën nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që protesta të jetë e qetë, por masive.
Në gusht të vitit 2015 Kuvendi votoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara. Atëkohë vendi qeverisej nga koalicioni PDK-LDK.