Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Projekti për ndërtimin e rrugës Verbicë e Zvegocit – Sllovi ndihmohet me 1.4 milion euro

Projekti për ndërtimin e rrugës Verbicë e Zvegocit deri në Sllovi në Gjilan, është ndihmuar me 1 milion e 450 mijë euro përmes një marrëveshje të nënshkruar nga kryetari i Komunës, Lufti Haziri dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

“Përveç autostradës e cila kalon nëpër këtë malësi, po vjen edhe projekti tjetër që e lidhë Gjilanin me Lipjanin në një gjatësi prej 8 kilometra. Kjo rrugë është e një rëndësi të veçantë dhe për një zonë të rëndësishme të Gjilanit. Banorët e asaj zone do ta kenë shumë më të lehtë komunikimin me Gjilanin dhe njëkohësisht edhe me Lipjanin dhe pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë Haziri.

Zëvendësministri, Rexhep Kadriu, ka thënë se qeveria, përpos këtij projekti edhe gjatë vitit të ardhshëm do të investojë në Gjilan projekte tjera.

“Ministria jonë është e vendosur ta mbështes Gjilanin me projekte të ndryshme në infrastrukturë, kurse projekti i sotëm është më i madhi për kah vlera financiare për vitin 2018. Gjatë këtij viti kemi financuar projektet e vitit 2017 dhe 2018, por me përkushtimin e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Pal Lekaj, Gjilani do të mbështetet fuqishëm edhe në vitin 2019, me mbi 8 milionë euro në infrastrukturë rrugore”, ka thënë Kadriu.

Punimet planifikohet të fillojnë këtë vit për të përfunduar i gjithë projekti për një periudhë të shkurtër kohore gjatë vitit të ardhshëm.