Projekti 8-milionësh për ndërtimin e objektit të Emergjencës rrezikon t’i shkaktojë Ministrisë së Shëndetësisë humbje të tjera. Ndonëse janë kryer vetëm punët e vrazhda, pjesën më të madhe të parave të projektit tashmë i ka marrë kompania që e kishte fituar tenderin, ndërsa pasi i janë kryer pagesat ka refuzuar t’i kryejë punët e tjera me arsyetimin se ka “defekte” në projekt
Asnjë punë nuk është kryer tash e dy vjet në ndërtimin e objektit të Emergjencës, i nisur në vitin 2016. Atëherë ishte planifikuar të përfundohej për rreth 8 milionë euro. Por, tash rrezikon që shtetit t’i kushtojë shumë më shtrenjtë.
Vetëm 50 për qind e punëve janë kryer. Aktualisht të përfunduara konsiderohen veç punimet e vrazhda. Përveç mureve e shkallëve, nuk ka asgjë në këtë objekt.
Por, konflikti i nisur midis Ministrisë së Shëndetësisë e kompanisë që pati fituar tenderin, “AL Trade”, ka përfunduar në Gjykatë.
Ndonëse “Al Trade” kishte konkurruar në tender duke e pasur parasysh projektin, veç pas përfundimit të punimeve të vrazhda ka shfaqur dyshime se projekti nuk është në rregull dhe se për t’i përfunduar punët ai do të duhej të ndryshohej, duke nënkuptuar edhe rritjen e buxhetit.
Refuzimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ta bërë një gjë të tillë dhe pretendimi i këtij institucioni që ka të drejtë t’ia konfiskojë kompanisë rreth 1 milion euro për shkak që nuk i ka kryer punët, ka përfunduar në gjykatë.
Në aktgjykimin e shkallës së parë, të siguruar nga KOHA, Gjykata në Prishtinë i ka dhënë të drejtë operatorit ekonomik.
Jo vetëm se ka konstatuar se MSH-ja nuk ka të drejtë t’ia tërheqë kësaj kompanie 1 milion euro, por edhe e detyron këtë institucion që këtij operatori t’ia paguajë rreth 23 mijë euro me kamatë 8 për qind.
Ndonëse punët dhe funksionalizimi i kësaj klinike është dashur të përfundonin në qershorin e vitit 2019, gjykata ka konstatuar se vendimi që ka marrë Ministria e Shëndetësisë në shtatorin e atij viti – për ndërprerjen e kontratës pra – ishte i jashtëligjshëm.
MSH-ja nuk ka dashur të deklarohet, me arsyetimin se rasti ka shkruar në Gjykatën e Apelit.
“Pala e paditur, Ministria e Shëndetësisë, këtë kontratë e ndërpret njëanshëm më datë 25.09.2019, diku më shumë se dy muaj pasi pala paditëse ‘AL Trade’ kërkon me padi përmes gjykatës që të bëhet ‘zgjidhja’ e kësaj kontrate, për shkak të ndryshimit të rrethanave si dhe për shkak të mospranimit dhe mosbashkëpunimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Pjesën më të madhe të parave nga ky projekt, ani pse nuk ishin përfunduar punët, kjo kompani i ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në aktgjykim, ku i është dhënë të drejtë kompanisë në përballje me MSH-në, madje thuhet që këtij operatori i janë paguar faturat edhe pa i kryer punët.
Aty përmendet që shumica e punëve ishin paguar në vitin 2017 dhe një gjë e tillë ishte konstatuar edhe nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit.
Nga Gjykata e Apelit, e cila po e trajton rastin, nuk kanë pranuar të deklarohen deri pasi të merret vendimi.
Klinika e re Emergjente planifikohej të ndërtohej në oborrin e QKUK-së, në hapësirën mes Klinikës së Onkologjisë dhe asaj të Ortopedisë. Ish-kryeministri Isa Mustafa, në vitin 2016, kishte vendosur gurin themeltar të kësaj ndërtese, e i pranishëm ishte edhe ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.