Objekti i lënë në gjysmë i Emergjencës nuk ka datë se kur mund të përfundojë. Kompania që ishte tërhequr nga ndërtimi pasi kishte kryer punë në vlerë të 5 milionë eurove, ka fituar betejën me Ministrinë e Shëndetësisë në të dyja shkallët e gjykatës. E për t’u vazhduar ky projekt, që në 2015-tën kishte kosto 8 milionë euro, janë propozuar dy projeksione. Një i brendshëm i MSH-së që parasheh investim shtesë prej 7.5 milionë eurosh dhe një raport i jashtëm sipas të cilit nevojiten edhe 18 milionë euro
Një nga sfidat e ardhshme të ministrit të ri të Shëndetësisë, Rifat Latifi, është finalizimi i ndërtimit të objektit të Emergjencës.
Klinika e Emergjencës në QKUK, sipas dosjes së tenderit, ka nisur të ndërtohet më 2016, e punët, sipas kontratës, kompania fituese “Al-Trade” duhej t’i përfundonte në qershor të 2019-s.
Por, pak para këtij afati, kompania i kërkoi MSH-së rishikim të projektit.
Në dokumente të cilat i ka KOHA, kompania “AL-Trade” kishte renditur vërejtjet dhe arsyetimin se pse pa rishikim të projektit nuk do të duhej të vazhdonin punimet.
Ankesa ishte bazuar në ekspertizën e një kompanie të angazhuar nga vetë “Al-Trade” pa miratim të Ministrisë, sipas së cilës ky objekt nuk është adekuat për shërbime të emergjencës. Raporti përmban afro 10 defekte të identifikuara në projekt.
Ministria e Shëndetësisë, sipas dokumenteve, ka refuzuar rishikimin e projektit me arsyetimin se është i njëjtë me atë për të cilin kompania ka ofertuar për të marrë tenderin.
Pas këtij refuzimi punimet janë ndërprerë njëanshëm nga kompania, e si përgjigje ndaj këtij veprimi Ministria ia shkëput asaj kontratën.
Kompania e cila vetë i ka pezulluar punimet e ka paditur MSH-në në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e MSH-ja ka bërë kundërpadi për konfiskimin e 1 milion eurove që ishin garanci e tenderit në rast se nuk kryhen punët sipas kontratës.
Vitin e kaluar gjykata i ka dhënë të drejtë kompanisë “Al-Trade”, duke ia pamundësuar Ministrisë së Shëndetësisë tërheqjen e kësaj shumë.
E më 23 nëntor të këtij viti, Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e Themelores duke ia humbur përfundimisht MSH-së betejën me këtë operator ekonomik.
Në objektin e Emergjencës janë kryer vetëm punët e vrazhda, e sipas përgjigjeve jozyrtare të MSh-së kompania është paguar me rreth 5 milionë euro, nga 8 milionë sa ishte planifikuar realizimi i plotë i tij.
E ndërsa është zvarritur ndërtimi i objektit të ri, Emergjenca ka funksionuar në hapësirat e vjetra, të vlerësuara nga menaxherët e klinikës si të papërshtatshme.
Për t’u përfunduar kjo klinikë, siç ka mësuar KOHA, MSh-ja tash ka dy vlerësime.
Një vlerësim nga njësia kërkuese brenda MSH-së, sipas të cilit nevojiten edhe 7.5 milionë euro që punët të përmbyllen. Dhe, një tjetër i bërë nga një kompani e jashtme e cila parasheh edhe 18 milionë euro shtesë.
Bazuar në vlerësimin e fundit, MSH-ja në kohën e Qeverisë Hoti pati hapur tender në vlerë të 18 milionë eurove për përfundimin e këtij objekti dhe shndërrimin e tij në spital për COVID, që u anulua në javët e para të Qeverisë Kurti.
KOHA është përpjekur të marrë qëndrimin zyrtar të MSh-së për këtë çështje. Ata kanë vënë në dispozicion dokumentet, por nuk kanë dashur të deklarohen.
Përgjigje nuk ka dhënë as përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Al-Trade”.
Ditën që është vënë gur themeli i këtij objekti ishte thënë që punët do të përfundoheshin brenda 650 ditësh.